Google ADS

“Lufta” e partive për të drejtuar KEK-un, me emërime të jashtëligjshme

08:00 | 19 Dhjetor 2020
A. B.

Enver Gashi, është vëllai i kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi e njëkohësisht asamblisti i AAK-së, në Kuvendin Komunal të Obiliqit.

Ai në fillim të muajit shtator, në mënyrë të kundërligjshme është emëruar ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Emërimi i tij në këtë pozitë nga ana e Bordit të KEK-ut, është bërë në kundërshtim me interpretimin që e ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik për Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

E, ndërsa Xhafer Gashi është mik i ngushtë i ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Luigj Imeri.

Sekretar i Korporatës në KEK, kishte qenë Lulzim Zeqiri, ndërsa tani është Nexhat Podrimaj ushtrues detyre i Sekretarit të korporatës.

Ndërsa zëvendësdrejtorit i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka qenë Nysret Kelmendi ndërsa tash pozitën e ushtruesit e mban Enver Gashi.

Lidhur me këto pozita, arbresh.info, ka pyetur edhe Ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Luigj Imerin.

Ai ka thënë se për këto pozita nuk e ka autoritetin që të përgjigjet.

“Për pozitat që po flitet, këto i takojnë bordit të drejtorëve të Korporatës dhe trajtohen me Ligjin e Ndërmarrjes Publike e nuk trajtohen me Ligjin e Punës, kështu që ju mundeni t’i drejtoheni për këtë çështje Kryesuesit të Bordit, Skender Bucollit, e unë nuk e kam autoritetin që t’i përgjigjem këtyre pyetjeve si një ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut”, ka thënë Luigj Imeri.

Lidhur me këtë arbresh.info, ka kontaktuar edhe me zëdhënësi i Korporatës Energjike të Kosovës (KEK), Skender Bucolli.

Në një përgjigje për arbresh.info, edhe Bucolli ka deklaruar se nuk është kompetent për të folur për këto pozita.

“Nuk jam njeriu kompetent të flas për këto pozita, mund të kontaktoni me kryesuesin e këtij Bordi, Musa Misinin”, ka deklaruar Bucolli.

Gjithashtu, arbresh.info, ka kontaktuar edhe me kryesuesin e këtij Bordi, Musa Misinin, ai është përgjigjur duke thënë se në një vendim të qeverisë ata kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me zyrën angleze, e për shkak të pandemisë ajo nuk ka mundur të realizohet.

“Ka qenë një vendim i qeverisë që kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me zyrën angleze, për përcjelljen e inervistimeve për zyrtarët e lartë, e për shkak të pandemisë ai nuk ka mundur të realizohet, e pikërisht për atë nuk bëhet intervistimi për përzgjedhjen e drejtorit ekzekutiv, e sekretarit që është me kontratë edhe zëvendëskryeshefit”, është përgjigjur ai.

Misini ka deklaruar se për pozitën e sekretarit dhe të zëvendësdrejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë aplikuar 10 kandidatë, e kjo është stopuar me kërkesën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

“Besoj që ka edhe emra të tjerë. Nuk e kam parë listën, vetëm e di që ka më shumë se 10 kandidatë, por ai është stopuar me kërkesën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, për shkak të implementimit të marrëveshjes  me ambasadën Angleze, për participim në zgjedhjen e kandidatëve që të përzgjidhen kandidatë më të suksesshëm, për ta rritur performancën e ndërmarrjes, e për shkak të pandemisë ajo është pezulluar përkohësisht, e besoj që në janar kjo punë, nëse kemi përparim në zvogëlim të rasteve të Covidit, e ata kthehen në monitorim e besoj që do të realizohet”, ka deklaruar për arbresh.info, kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Musa Misini.

Ndërkaq, një muaj më parë Qeveria e Kosovës e ka shkarkuar Bordin e përkohshëm të ndërmarrjes KEK, duke e emëruar një bord të ri të përkohshëm.

Kryesues i këtij Bordi është zgjedhur Musa Misini, i cili ka qenë kandidat i LDK-së për deputet në zgjedhjet e vitit 2014 dhe ish-kryetar i Komunës së Vitisë nga radhët e LDK-së.

Pra, pika 3 dhe 4 e të njëjti ligj kërkojnë që edhe zyrtarët e lartë të një ndërmarrjeje duhet të jenë të pavarur.

Neni 21 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike i ka përcaktuar kushtet që duhet të plotësojë një zyrtarë i lartë i një ndërmarrje publike.

Neni 21, pika 3 thotë se secila ndërmarrje publike do të ketë katër zyrtarë të lartë: (i) Kryeshefin Ekzekutiv, (ii) Zyrtarin Kryesor Financiar dhe të Thesarit, (iii) Këshilltarin e Përgjithshëm/Sekretarit e Korporativ dhe (iv) një Zyrtar për Auditim të Brendshëm. Në të njëjtën pikë është dhënë mundësi ndërmarrjeve të mëdha që të kenë edhe zyrtarë shtesë që zgjidhen nga bordi.

“Nëse është e nevojshme për shkak të madhësisë dhe/ose llojllojshmërisë së veprimtarive, NP mundet – nëse vendoset nga Bordi i Drejtorëve dhe përcaktohet në Rregullore – që po ashtu të ketë një ose dy poste të Zëvendës Kryetarit”, thuhet në pjesën e dytë të pikës 3 të nenit 21.

Pra, në bazë të këtij interpretimi edhe zv.drejtorët që zgjidhen nga bordi duhet të jenë të pavarur dhe rrjedhimisht nuk duhet që në 36 muajt e fundit të kenë lidhje me politikën.

Bëjmë të ditur se Gashi është emëruar disa muaj pasi bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti, e kishte shkarkuar Nysret Kelmendin nga pozita e zv.drejtorit të KEK-ut.

Në të njëjtën kohë ishte shkarkuar edhe Njazi Thaçi nga pozita e drejtorit të kësaj ndërmarrjeje.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Zyra e Kryeministrit me rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për drejtor të KEK-ut, kishte thënë se edhe zyrtarët e lartë të një ndërmarrjeje publike duhet të jenë të pavarur, siç kërkohet në nenin 21 dhe nenin 17.

Pozita e zv.drejtorit të një ndërmarrje publike, me Ligjin për ndërmarrjet publike konsiderohet zyrtar i lartë i ndërmarrjes. E Ligji kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjes duhet të jenë të pavarur, njëjtë sikur anëtarët e bordit të KEK-ut.

Gashi përveç se mban pozitën e zv.drejtorit të KEK-ut si ushtrues detyre, nga viti 2017 është asamblist i AAK-së në Kuvendin Komunal të Obliqit.

Po ashtu, Gashi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kishte qenë kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës nga AAK.

Gjithashtu, edhe zëvendësdrejtorit i shkarkuar Nysret Kelmendi, ish-kandidat i PDK-së, për kryetarë të Komunës së Obiliqit, ishte emëruar në këtë pozitë nga ana e Bordit të KEK-ut është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike në bazë të interpretimit për këtë ligj që e ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Nysret Kelmendi ka qenë nënkryetar i Komunës së Obiliqit në mandatin e kaluar, pasi PDK-ja ka bashkë-qeverisur me kryetarin Xhafer Gashi. Po ashtu, në zgjedhjet e fundit lokale të zhvilluara në Kosovë në tetor të vitit 2017, Kelmendi ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Obiliqit nga radhët e PDK-së.

Ndryshe, me 4 qershor të këtij viti me dhjetëra punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës protestuan për kthimin në punë të ish-drejtorit ekzekutiv të kësaj korporate Njazi Thaçi, të shkarkuar nga bordi i përkohshëm.

Bordi i Përkohshëm i drejtorëve i KEK-ut, në maj të këtij viti ka marrë vendim për formimin e grupit punues për strategjinë 2020-2025 dhe shkarkimin nga detyra e pozitës së sekretarit të ndërmarrjes Lulzim Zeqiri.

Në pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit është emëruar Nexhat Podrimaj.

Lulzim Zeqiri kishte qenë kandidat i PDK-së për Asamblenë komunale në Mitrovicën e Jugut, e më vonë këshilltar i Kadri Veselit.

Ndërkaq, lidhur me këto shkelje kanë bërë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë Nysret Kelmendi dhe Lulzim Beqiri, ku gjyqtari i kësaj lënde është Dren Rugova, ndërsa kryetare e trupit gjykues është Afërdita Bytyqi.

Bëjmë të ditur se  tani Bordi i ri i KEK-it, gjithashtu përbëhet nga drejtorët Petrit Ibraj, Fatime Grajcevci dhe Fadil Hoxha. Ndërkaq, kryesuesi i ri i Bordit të KEK-ut, Musa Misini e ka pranuar edhe publikisht se është anëtar i LDK-së./A.Shkodra/arbresh.info/