Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë sot homazhe në Prekaz me rastin e shënimit të 37 vjetorit të vrasjes së Tahir e Nebih Mehës.
Në prezencën e tij tek Kulla e Mehajve, për të kujtuar rezistencën e tyre, i shoqëruar nga Kryetari i Skënderajt Bekim Jashari, Lladrovci në fjalën e tij të rastit tha se kjo datë mbetet e paharrueshme për historinë e re të Kosovës, njofton Klan Kosova.
”Në kujtim të një date të veçantë, të shekullit të kaluar, sot bëra homazhe, vendosa lule dhe mbajta një fjalë rasti, për Tahir e Nebih Mehën, në Prekaz, së bashku me Kryetarin e nënkryetarin e Skënderajt, Bekim Jasharin dhe Nuredin Lushtakun.
Këtu, për këtë datë të paharrueshme për historinë tonë të re, po cek vetëm disa momente.
Në ngjarjet e vrullshme të vitit 1981, Serbia shfrytëzoi pikërisht të ashtuquajturën Ditën e Policisë së Jugosllavisë, për ta sulmuar familjen Meha, heroin Tahir Meha, babain e tij, Nebihun dhe bashkëfamiljarët e tyre.
Prekazi i Drenicës u bë atë ditë fushëbetejë dhe vulë e një vargu ngjarjesh të Pranverës ’81.
Pas arrestimeve të shumta të rinisë kosovare, anembanë vendit, gjatë demonstratave kosovare të atij viti, Jugosllavia e atëherëshme kishte për synim të dëshmojë forcën mbi shqiptarët e Kosovës.
Adresa e tyre ishin Mehajt e Prekazit të Epërm. Por, një ushtri, një polici dhe një makineri e tërë, u thye atë ditë në Kullën e Mehajve, në çerdhen njëshekullore të rezistencës ndaj krajlave serbë.
Rrethimi prej tre rrathësh i Kullës së Mehajve nga njësia speciale, ushtria jugosllave dhe pjesëtarë të policisë rezervë, nuk e thyen assesi Tahirin, Nebihun dhe familjen Meha. Ata qëndruan deri në fundin e natës, duke lënë të vrarë 24 pjesëtarë të njësive speciale jugosllave dhe shume te plagosur, përkundër faktit që zyrtarisht ishin deklaruar vetëm 4 të vrarë dhe 3 plagosur. Pushteti i atëhershëm nuk i kishte deklaruar të vrarët tjerë, që ishin jetimë të rritur pa prindër dhe të rekrutuar për këto ekspedita.
Kulla e Mehajve të Prekazit ishte po ajo kulla e gjyshit të Tahir Mehës, Emin Latit, që kishte qenë pjesë e çerdhes së Azem Bejtës dhe që asnjëherë s’iu dorëzua pushteteve antishqiptare.
Kjo familje, jo rastësisht u sulmua në 13 majin e vitit 1981. Tahir Meha, babai i tij Nebihu dhe të gjithë anëtarët e kësaj familjeje, ishin njëqind vjet më parë të betuar për të mos iu nënshtruar asnjë regjimi antishqiptar.
Në vend të nënshtrimit ata zgjodhën rezistencën. Edhe pse pushteti i shpalli rebelë dhe pengmarrës, sipas referimeve në raportimet e kohës të Agjencisë “Tanjug”, të gazetës “Rilindja” dhe “Jedinstvos”, megjithatë Tahir dhe Nebih Meha ishin patriotët e vërtetë shqiptarë. Ishin arteria e gjallë dhe aktive e asaj kohe.
Jo rastësisht, edhe heronj të mëvonshëm, si Adem e Hamzë Jashari, nga Prekazi i Poshtëm, u betuan pikërisht mbi varret e tyre, se jeta e tyre do të ecë rrugës dhe amanetit të Mehajve.
Ata, këtë betim e kishin bërë pikërisht në ditën e varrimit të Tahir e Nebih Mehajt.
10 vjet më vonë, po kundër të njëjtit regjim pushtues dhe më 30 dhjetor të vitit 1991 dhe në Janarin e vitit 1998, në të njëjtin skenar, do të rezistojnë në Prekazin e Poshtëm, Komandanti Legjendar Adem Jashari, Hamza dhe mbarë Familja Jashari.
Ndërsa në marsin e vitit 1998, ata do të bijnë heroikisht, duke mos iu dorëzuar për asnjë moment, po të njëjtit regjim, po të njëjtave forca policore e ushtarake të Beogradit dhe duke tërherur vemendjen e tërë opinionit të gjerë ndërkombëtar, për të vërtetën se ç’po ndodhë në Kosovë dhe me shqiptarët.
Atë ditë maji 1981 ranë Tahir e Nebih Mehaj, e u plagos e bija e Tahirit, Mihrija. Atë ditë Prekazi i dha vulë vitit 1981.
Familjarë e pasardhës të Familjes Meha, do të jenë pjesëtarë aktivë dhe të paepur të UÇK-së, si vëllau i Tahir Mehajt, Beqiri, që ishte bashkëluftëtar i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Emin Lati i Ri, stërnipi i Emin Latit të Parë që ishte bashkëlufëtar dhe pjesëtar në Çetën e Azem Bejtës.
Kjo është një shekull histori e qëndresës, refuzimit dhe luftimit të regjimit antishqiptar të Beogradit.
Aq sa do të jetoj Kosova dhe kombi shqiptar, aq do të jetojnë kujtimi pë Tahir e Nebih Mehën, nipat e Emin Latit!”
Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për s...
Riquelme synon ta sjellë Kloppin te Real Madridi
Krizë humanitare në Liban, OKB ngre alarmin për 1.4 milionë ...
Çeku dhe Bogujevci presin finalistët e Olimpiadës Kosovë–Shq...
Gjiganti ukrainas ofron afro 1 milion euro për kartonin e Lu...
Në kërkim ndërkombëtar për narkotikë, ekstradohen në Tiranë ...