Platforma “Liria ka emër” ka mbajtur një konferencë për media, ku kanë numëruar shkeljet që Gjykata Speciale në Hagë po bënë ndaj krerëve të UÇK-së.
Ismail Tasholli nga kjo platformë ka thënë se duhet të ngrihet zëri kundër padrejtësive.
“Jemi këtu për të shprehur shqetësimin tonë për shkeljen e të drejtave të njeriut për Gjykatën e Hagës. Kosova e ka mbështetur themelimin e Gjykatës Speciale me besimin se do të përcjellen në veprim nga standardet evropiane, megjithatë procesi që është zhvilluar për më shumë se 4 vjet ka qenë larg standardeve evropiane. Shkelja e Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë alarmante. Sot kur procesi po shkon drejt përfundimit, kur Prokuroria ka përmbyllur parqitjen e provave, këto shkelje duhet të evidentohen, të ngrihet zëri kundër padrejtësisë. Gjitha këto shkelje, nga mohimi i të drejtave themelore, vonesat e pajustifikueshme në proces, tregon se procesi ka devijuar nga rruga e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm. Kërkojmë të rishqyrtohen praktikat e kësaj gjykate, të sigurohet respektimi i Kushtetutës. Procesi të zhvillohet mbi bazën e drejtësisë, jo të paragjykimeve”, tha ai.
“U bëjmë thirrje shteteve financuese që të marrin përgjegjësinë institucionale e morale për të garantuar që puna e Gjykatës të jetë në përputhje me parimet themelore të drejtësisë, e jo të ndikohet nga interesat apo agjenda politike. Kjo nuk është përpjekje për të ndërhyrë në drejtësi, por kërkesë që drejtësia të zbatohet në përputhje me parimet e standardet evropiane”, tha më tutje Tasholli.
Ai paralajmëroi se në të ardhmen, nëse nuk ka ndryshime, mbetet i hapur opsioni për protestë.
“Zakonisht ne kemi mekanizma qytetar për me iu përgjigj secilës padrejtësi, opsion është edhe protesta. Secila mundësi është e hapur, te shohim nëse diçka po ndërron për mirë, krejt rruga është e gabuar. Shpresojmë që nuk do të vazhdojë të ndodhin këto shkelje, opsionet e një përgjigje qytetare janë të hapura”, tha Tasholli.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, njëherësh deputeti Përparim Gruda, ka numëruar shkeljet.
“Gjykata Speciale që akuzon Thaçin dhe të tjerët është themeluar mbi raportin e Dick Martyt për Shtëpinë e Verdhë, dhe mbi këtë fakt është ndërtuar Gjykata. Kur është publikuar aktakuza me redaktimet që dihen, dhe sot në fund të procesit, nuk ekziston asnjë fjali për Shtëpinë e Verdhë”, tha ai.
“E dyta, ju e dini që Hashim Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, janë për më shumë se 4 vjet në paraburgim, nuk janë në burg. Prezumohen të pafajshëm ligjërisht, kjo është shkelje e standardeve për të drejtat e njeriut, shkelje e Kushtetutës, shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. E pabesueshme që një gjykatë në zemër të Evropës mban të akuzuarit 4 vjet në paraburgim”, deklaroi Gruda më tutje.
“Shkelja e tretë, është marrja e provave përmes Serbisë. Serbia është vend armiqësor ndaj Kosovës, dhe fakti që Prokuroria ka akses për të marrë prova, e mbrojtja nuk ka akses, sepse nuk ka kuptim, i vë në pozicion të pabarabartë”, tha ai.
“E katërta, në rastin e Salih Mustafës. Dhoma Kushtetuese ka refuzuar zbatimin e parimit lex mitior, zbatimi i ligjit më të favorshëm. Ky parim është pjesë e Kushtetutës dhe Konventës për të Drejtat e Njeriut. Kjo është bërë në emër të autonomisë, kundrejt rendit juridik”, shtoi Gruda.
“Është e rëndësishme që shoqëria kosovare, institucionet dhe kushdo të përmbahet nga ndërhyrja në punën e Gjykatës. E respektoj këtë parim të shenjtë, që Gjykatat duhet të jenë të lira dhe të pavarura. Duhet të ruhet pavarësia e Gjykatës. Por, asnjë shoqëri evropiane e lirë, nuk mohohet nga debati”, përfundoi Përparim Gruda.
Hapet në BQK ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngj...
Arrestohet në Kosovë një person me urdhërarrest ndërkombëtar...
Mourinho optimist para përballjes me Real Madridin
Prokuroria Speciale arreston një person për dhënie ryshfeti ...
Sekuestrohet një armë zjarri në Kaçanik, shoqërohet në polic...
Szoboszlai në radarin e Realit – Liverpooli i ofron kontratë...