Limaj: E diela, dita e ndryshimeve për Drenasin

17:47 | 2 Dhjetor 2016
M. A.

Nisma për Kosovën ka përmbyllur sot fushatën për kryetar të Drenasit. Në një tubim të mbajtur në Palestrën e Sporteve në këtë qytezë u tha se ndryshimet e mëdha po vijnë dhe se e diela do të jetë dita e ndryshimeve të mëdha për Drenasin

Fillimi i tubimit kaloi me disa probleme ku në sallën ku pritej të fillojë ceremonia është ndalur rryma.

Kandidati i Nismës për këtë komunë Isa Xhemajlaj ka fajësuar rivalët e tij se sa herë po ka fushatë po i ndalet rryma.

Xhemajlaj tha se kjo fushatë përfundimisht  po i jep fund kapjes së  Drenasit, nga individë  të papërgjegjshëm të cilët e sollën Drenasin në këtë gjendje. Ndërsa tha se nga e hëna vendit do t‘i kthehet zhvillimi dhe liria e fjalës dhe veprimit.

Ndërkaq Fatmir Limaj tha se fitorja e Isa Xhemajlajt është paralajmërim i ndryshimeve të mëdha. Ndërsa tha se rrymën mund t’ua ndalin, por jo dhe fjalën e lirë.

“Isa Xhemajlaj dhe në këtë moment të domosdoshëm e tepër të nevojshëm për Drenasin u kthye në një figurë shprese, një figurë mundësie, një figurë  bashkuese e qytetarëve të Drenasit. Një shpresë e sigurt dhe e vetme se vetëm ky njeri dhe ne të gjithë në mbështetje të tij, mund dhe  ta ndryshoj qeverisjen në Drenas”, tha Limaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi tha se ndryshimi në Drenas ka vetëm një emër, e ai është Isa Xhemjalaj.

 

“Ne nuk dëshirojmë, s‘kemi dëshiruar kurrë s’do të dëshirojmë sot as nesër që ta blejmë vullnetin e qytetarëve të Drenasit. Ne e dojmë besimin e qytetarëve të Drenasit, për ta ndryshuar Drenasin. Kjo është kërkesa jonë dhe ai ndryshim është në numrin 11 dhe aty është emri i Isa Xhemajlajt. Nga kjo foltore iu ftoj ju që të bëheni argat të ndryshimit të Drenasit. Bashkëpunëtorë në ndryshimin e Drenasit bashke më kryetarin e ardhshëm të Drenasit Isa Xhemajlajt”, tha Krasniqi.

AAK në këtë garë ka vendosur ta përkrah kandidatin e Nismës. Deputeti i kësaj partie Daut Haradinaj tha se beson që kjo e diel do të jetë dita e ndryshimeve për qytetarët e Drenasit.

“Drenica gjithmonë u ka pri ndryshimeve dhe besoj shumë se edhe kjo e diel, do të jetë dita e ndryshimit pozitiv për Drenicën dhe juve si qytetar…Kjo prezence e kesaj makinerie te pushtetit qe vjen e sillet poshtë e lartë duke iu mashtru, shpresoj se do të ua jepni përgjigjen të dielën duke e rrumbullaksuar  numrin 11, duke e rrumbullaksuar një bashkëpunëtor tuajin. Duke ia dhënë besimin Isa Xhemajlajt”, tha Haradinaj në Drenas.

Zgjedhjet për kryetar të Drenasit do të mbahen të dielën pasi që Nexhat Demaku dha dorëheqje nga pozita e kryetarit pasi që Gjykata e Apelit ia konfirmoi dënimin me burg.

Shpërndaje në rrjete sociale