Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur kushtetues Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një video-adresimi ka thënë se përmes përbërjes së balancuar do të eliminohet korporatizmi brenda KPK-së. Ndërsa, nga shoqëria civile thonë se ligji do të hyjë në fuqi pas dekretimit nga Presidentja.
Gjykata Kushtetuese ka dhënë dritën e gjelbër për Ligjin për Këshillin Prokurorial. Përmes një videoje, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se përmes këtij ligji, KPK nuk do t’i ketë më 13 anëtarë, por 7: Kryeprokurorin, sipas detyrës zyrtare, 3 prokurorë dhe 3 joprokurorë, të zgjedhur nga Kuvendi.
“Parashihen dispozita për eliminimin e konfliktit të interesit; forcohen kritere për depolitizim të anëtarëve të Këshillit dhe eliminim të korporatizmit. Sa i përket vendimmarrjes në përbërje të rregullt prej 7 anëtarësh, kuorumi do të jetë prej 5 anëtarësh. Me këto ndryshime, Këshilli, me përbërje të re dhe të balancuar, është caktuar si organi i vetëm, i cili mund të transferojë prokurorët nga një Prokurori në një Prokurori tjetër, rrjedhimisht kjo kompetencë i është hequr Kryeprokurorit. Gjithashtu, është rregulluar procesi i përzgjedhjes së anëtarëve prokurorë dhe është rritur transparenca në këtë drejtim. Është rregulluar vendimi i publikimeve të Këshillit dhe aspekte të tjera që ndërlidhen me ngritjen e transparencës,” tha Haxhiu.
Ky ligj fillimisht duhet të dorëzohet te presidentja për dekretim, thotë Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Sipas tij, nëse ky ligj aplikohet me përmbajtjen aktuale në praktikë, do të mbarojë kultura e pandëshkueshmërisë, ndërsa, i pyetur se sa do të hapë rrugë për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, Kolaj tha se ky ligj nuk ka qenë pengesë për këtë çështje.
“Pengesë për moszgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit është Këshilli Prokurorial, që nuk ka hapur rrugë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ky proces është përcjellë nga IKD dhe organizata të tjera që kemi kërkuar,” tha Kolaj.
Gjykata, në aktgjykimin e saj, konstatoi se ndryshimet që lidhen me përkufizimin e “integritetit profesional”, kushtin për mospasjen e aktakuzës, përbërjen e Komisionit të Posaçëm dhe kuorumin e vendimmarrjes nuk bien në kundërshtim me Kushtetutën. Vendimi u mbështet në opinionin e Komisionit të Venedikut dhe në aktgjykimet e mëparshme të Kushtetueses.
Ekstradohen nga Italia dhe Gjermania në Kosovë, një grua dhe...
Franca thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në Izrael, K...
Rizvanolli kërkon rritje të masave të sigurisë, pas vdekjes ...
“Na ke bërë krenarë”, Hygerta surprizohet nga nëna për final...
Begaj: Nuk është e drejtë që Kosova ka mbetur larg proceseve...
Porti i ri tregtar në Porto Romano, SPAK sekuestron dosjen e...