Franca nuk ka bërë kushtëzime ndaj Kosovës për liberalizimin e vizave.
Kështu thotë kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi.
Në një deklarim për arbresh.info, ajo tha se pretendimet se francezët patën kushte, nuk qëndrojnë.
“Konstatimet se Franca ka kushtëzuar procesin e liberalizimit të vizave nuk qëndrojnë, ngaqë ajo që u pa dhe u raportua në media kishte të bënte me tepër me një proces teknik për qytetarët e vendit tonë që duan të lëvizin në vendet e BE-së, me qëllim të identifikimit të tyre. Ky pra është roli i ETIAS, një sistem krejtësisht elektronik, që mundëson marrjen e informacioneve për banorët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza e për të hyrë në Zonën Schengen”, u shpreh Krasniqi.
Deputetja e LDK-së thotë se aktualisht është një klimë pozitive për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën dhe sipas saj, të enjten edhe njëherë u konfirmua se janë plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuar për lëvizje të lirë.
Megjithatë, ajo shton se Institucionet duhet të vazhdojnë të lobojnë për liberalizimin e vizave.
“Interpretimet kanë qenë të ndryshme, por në këtë fazë ajo që kërkohet dhe duhet të bëjnë institucionet me kujdes dhe maturi, është dinamizmi i angazhimit në lobimin tek vendet anëtare të BE. Ky është një shans historik për vendin që padrejtësia të marrë fund ndaj popullit me pro-perëndimor në Ballkan’.
Mirëpo, njohësi i çështjes së marrëdhënieve ndërkombëtare politike, Shkodran Ramadani thotë se Kosova i ka përmbushë qysh moti kriteret për liberalizim vizash.
“Kosova i pati përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por për fat të keq, ajo u bë vendi i parë në historinë e liberalizimit të vizave që përmbushë të gjitha kushtet dhe nuk e fiton liberalizimin. Kosovës iu bë një padrejtësi e madhe dhe një diskriminim i rëndë, duke e izoluar atë nga popujt tjerë, ani pse kishte plotësuar shumë kushte me shumë se ata” ka thënë Ramadani.
Po ashtu, Ramadani ka kritikuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke thënë se nuk kanë bërë sa duhet.
‘E sot, pas gjithë kësaj, ministrja e Jashtme del e thotë pafytyrësisht se “sot u konfirmua që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave”. Flet sikur këto veprime të kenë ndodhur para një shekulli e jo para 4-5 viteve’, deklaroi Ramadani.
Ndryshe, më 13 tetor është mbajtur takimi i grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku është diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ndërsa takimi tjetër pritet të mbahet më 9 nëntor./arbresh.info/Vjollca Gajraku/
Nis seanca për formimin e Qeverisë
Përgjatë një muaji në Kosovë 36 tërmete me intensitet të ulë...
Personi që u plagos në Mitrovicë është 25 vjeçar, ndodhet ja...
Përgjatë një muaji në Kosovë 36 tërmete me intensitet të ulë...
Të shtëna me armë zjarri në Mitrovicë, plagoset një person –...
Osmani e mandaton Kurtin për kryeministër