Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në vendim thuhet se është vendosur masë e përkohshme për të pezulluar Dekretin e Presidentit, transmeton portali arbresh.info.
Kjo masë është në fuqi deri më 29 maj të këtij viti.
– Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi:
1. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;
2. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;
Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar.
Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë edhe masë të përkohshme mbi Dekretin, “në mënyrë që të parandalohen dëmet e pariparueshme për palën dhe institucionin”./arbresh.info/
Verifikohet respektimi i afatit tremujor për veturat me targ...
Irani shkatërron sistemin kryesor të radarëve mbrojtës të SH...
Moti sot me diell, temperatura arrin në 16 gradë
Trepça fiton dramën ndaj Vëllaznimit, triumfon në çastet e f...
Parashikimi i motit për nesër
Trump pret liderë të Amerikës Latine, shpall koalicionin kun...