LAJMI I FUNDIT/ Arrestohet zyrtari policor që përdori armën zyrtare sot në Graçanicë

22:00 | 22 Dhjetor 2020

Hetuesit e IPK-së kanë vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me rastin e përdorimit të armës së zjarrit nga një zyrtar policor sot në orët e mbrëmjes në Graçanicë.

IPK në koordinim me prokurorin kujdestar dhe disa njësi të tjera të policisë ka përfunduar këqyrjen e vendit të ngjarjes, shkruan arbresh.info.

“Zyrtari policor i cili ka shtënë me armë zyrtare (i stacionit policor të Graçanicës) me vendim të prokurorit është arrestuar nga IPK dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, kurse IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij si pjesë e procedurave administrative”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Bazuar në hetimet paraprake, hetuesit e IPK-së dyshojnë se në këtë rast se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës së zjarrit nga zyrtari policor duke gjuajtur në drejtim të veturës në lëvizje ku ndodhej i dyshuari por edhe dy persona të tjerë.

Hetuesit e IPK-së do të hetojnë edhe lidhur me rrethanat e arratisjes nga stacioni policor i të dyshuarit të ndaluar nga policia.

IPK në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast përderisa nga informacionet nga QKUK mësohet se i lënduari me armë të zjarrit është jashtë rrezikut për jetë./arbresh.info/

LEXO EDHE:

IPK nis hetimet ndaj zyrtarit policor, i cili qëlloi me armë zjarri një të ndaluar në Stacionin Policor të Graçanicës – Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara