Gjykata Kushtetuese ka vendosur në lidhje me kërkesën e 12 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e vendimit për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit.
Sipas aktgjykimit të publikuar sot, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar si kushtetuese vendimin e Kuvendit i cili nuk mori votat e nevojshme për të shkarkuar deputeten e Partisë Socialdemokrate, Aida Dërguti nga pozita e nënkryetares.
“Gjykata konstatoi se Vendimi nr. 06/V-145 i Kuvendit të Republikës së Kosovës përkitazi me propozimin e Grupit Parlamentar të LVV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, është në pajtueshmëri me nenet 7 dhe 67 të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Tutje, gjykata ka vlerësuar si të pabazuar pretendimin e 12 deputetëve të LVV-së se “pozita e nënkryetarit të Kuvendit është e rezervuar ekskluzivisht për tri grupet më të mëdha parlamentare, të cilat dalin nga partitë politike apo nga koalicionet që kanë fituar më së shumti ulëse në Kuvend si rezultat i zgjedhjeve për Kuvend”.
Sipas Kushtetueses, pozita e nënkryetarit të Kuvendit nuk është i lidhur drejtpërdrejtë me grupin parlamentar.
“Gjykata vlerësoi se nga interpretimi i paragrafit 3, të nenit 67 të Kushtetutës, rezulton që mbajtja e pozitës së nënkryetarit të Kuvendit nuk është e lidhur drejtpërsëdrejti dhe nuk përfaqëson interesat e grupit parlamentar që i ka propozuar për atë pozitë në Kryesinë e Kuvendit”, thuhet në njoftim.
Me 4 qershor të këtij viti, deputetët e Kuvendit kishin votuar kundër propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të shkarkuar Aida Dërgutin nga pozita e nënkryetares së Kuvendit. Nga 91 deputetët që morën pjesë në votim, 17 deputetë votuan për shkarkim, 26 vota ishin kundër dhe 48 deputet abstenuan.
Ushqimet ideale për një gjumë më të qetë
Lajm i madh për Al-Nassr, rikthehet Cristiano Ronaldo
Parashikimi i motit për të premten
Trajneri i Bosnjës, Sergej Barbarez pritet si ”hero” në qyte...
Dërgimi i FSK-së në Gaza:, Ziv: Të lumtur që Kosova u përfsh...
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rry...