Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë pretendimet e parashtruar nga Slavko Simiq dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas të cilëve vendimi për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në përputhje me nenin 96 [Ministritë dhe Përfaqësimi i Komuniteteve] të Kushtetutës, sepse Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk është zgjedhur pas konsultimit të shumicës së deputetëve të cilët përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kuvendin e Kosovës, thuhet në njoftim.
Në kërkesën KO 61/21, objekt i çështjes së shqyrtimit ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës [nr. 08/V-005], të 22 marsit 2021, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës pretenduan që Vendimi për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në përputhje me nenin 96 [Ministritë dhe Përfaqësimi i Komuniteteve] të Kushtetutës, sepse Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk është zgjedhur pas konsultimit të shumicës së deputetëve të cilët përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kuvendin e Kosovës.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata theksoi se ministri i “tretë” nga komunitetet jo shumicë, përkatësisht Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte deputet i Kuvendit i zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, i deklaruar se përfaqëson një nga komunitetet tjera jo shumicë në Kuvend.
Gjykata përfundimisht sqaroi që bazuar në nenin 96 të Kushtetutës, i detyrueshëm është konsultimi me ose miratimi i deputetëve që përfaqësojnë “komunitetin në fjalë”, përkatësisht deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo, dhe jo shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë.
Në rrethanat e rastit konkret, kandidati i propozuar për Ministër ishte deputet i Kuvendit dhe për pasojë miratimi formal i tij nuk ishte detyrim kushtetues, ndërsa para Gjykatës nuk kishte asnjë pretendim që detyrimi për konsultimin e “komunitetit në fjalë” nuk ishte shteruar.
Prandaj, Gjykata konstatoi që vendimi i kontestuar i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafët 3 dhe 5 të nenit 96 të Kushtetutës./arbresh.info/

Mblidhet KQZ-ja, pritet certifikimi i kandidatëve dhe listës...
Capello për penalltinë e Liverpoolit: Ishte skandaloze, simu...
Moti në Shqipëri me diell në pjesën më të madhe të vendit, v...
Banorët zbulojnë të pathënat për Toneyn dhe Benitën
Demokratët fitojnë zgjedhjet lokale në Miami pas 28 vitesh
Merr flakë një ndërtesë në Kodrën e Diellit në Prishtinë