Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar sot Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar luftëtarët e lirisë dhe duke rikujtuar ngjarjet historike që shënuan fillimet e rezistencës së armatosur kundër regjimit serb.
Në një postim publik, Kurti theksoi se Dita e Veteranëve shënohet më 30 dhjetor për shkak të aksionit të parë policor serb ndaj familjes Jashari në Prekaz, i cili ndodhi në këtë datë në vitin 1991. Sipas tij, aksioni u ndërmor vetëm tre javë pasi Adem Jashari dhe një pjesë e vullnetarëve të stërvitur në Shqipëri ishin kthyer në Kosovë.
Kurti rikujtoi se forcat policore serbe kishin shkuar për ta arrestuar Adem Jasharin, por hasën në rezistencë të armatosur nga ai dhe vëllezërit e tij, Rifati dhe Hamza, si dhe nga familjarë, bashkëfshatarë dhe luftëtarë të tjerë. Gjatë asaj dite, Prekazi u shndërrua në zonë përballjeje, ku u plagosën dy persona, u bastisën 14 familje dhe u ndaluan dhjetëra qytetarë, ndërsa 27 prej tyre u arrestuan, përfshirë edhe Shaban Jasharin.
Sipas Kurtit, tre vëllezërit Jashari arritën të dilnin nga rrethimi policor, duke e vazhduar rezistencën që më vonë do të kulmonte me luftën çlirimtare. Ai përmendi edhe sulmin e radhës ndaj familjes Jashari më 22 janar 1998 dhe betejën finale të marsit 1998, ku Adem dhe Hamza Jashari ranë dëshmorë.
Në mesazhin e tij, Kurti vlerësoi veteranët e UÇK-së si bashkëluftëtarë dhe dëshmitarë të sakrificës së dëshmorëve, duke theksuar se kontributi i tyre ka qenë vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit.
“Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës”, thuhet në mesazhin e kryeministrit drejtuar veteranëve.
Tërnava në Tryezën Ndërfetare: Feja promovon paqen dhe bashk...
AUV-Maqedoni parandalon hyrjen e vezëve të pasigurta nga Ser...
Nënshkruhet marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë...
Henry: Real Madrid mendonte se ishte i paprekshëm, tani tifo...
Turqia urdhëron arrestime masive për lëvdatat online për të ...
Vdekja e një punëtori në vendin e punës në Shtime, një i arr...