Kurti: VAN-i duhet të organizojë më shumë protesta kundër keqqeverisjes së Isa Mustafës

20:54 | 23 Prill 2015
M. A.

Ish-lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë se opozitës nuk i mjafton beteja parlamentare dhe sipas tij, VAN-i duhet të organizojë më shumë protesta kundër keqqeverisjes së Isa Mustafës.

“Ne konsiderojmë se nuk mjafton beteja parlamentare. Ishte e domosdoshme të dëgjohej zëri i popullit. Në kohën kur nuk ka shumë seanca të Kuvendit, është mirë të ketë më shumë protesta sepse ka një tendencë që Qeveria po e anashkalon Kuvendin dhe se po e thërret atë kurdo që po ka nevojë për të”, ka thënë Kurti për emisionin “Rubikon”.

“Nuk janë të mjaftueshme protestat dhe beteja parlamentare. Ne synojmë t’i bashkojmë këto dyja. Tash Lëvizja Vetëvendosje e ka bashkuar opozitën dhe po i prinë asaj”.

Ai e ka cilësuar si të suksesshme protestën e 27 janarit të këtij viti, kur opozita organizoi atë kundër ish-ministrit Jabllanoviq dhe për Trepçën ndërsa ka shtuar se opozita ka ide më të qarta pa Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Pa u bërë 100 ditë e kemi shkarkuar një ministër dhe tash e kemi në plan të shkarkojmë një tjetër [Hajredin Kuçin]. Sepse tash jemi më aktivë dhe jemi më të fuqishëm. Opozita tani i ka idetë më të qarta në mungesë të LDK-së e cila asnjëherë nuk kishte ide opozitare”, ka thënë ish-lideri i Vetëvendosjes.

Ai ka thënë se Blloku VLAN u shpërbë pasi Isa Mustafa i tradhtoi ata.

“Ai tradhtoi opozitën sepse nuk e respektoi marrëveshjen e 10 shtatorit të vitit 2014. Ai e shkeli nënshkrimin e tij”.

Shpërndaje në rrjete sociale