Kurti sqaron se dallimet me SHBA janë për qëndrimet ndaj Serbisë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale në Kosovë

10:33 | 19 Shtator 2025
E.K

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për dallimet që ka Kosova me SHBA-në lidhur me pezullimin e dialogut strategjik. Ai tha se nuk ka prishje marrëdhëniesh, por vetëm disa mosmarrëveshje në mënyrën se si Kosova po i trajton disa çështje.

Kurti shpjegoi se dallimet më të mëdha janë lidhur me qëndrimet ndaj Serbisë dhe veprimet kundër strukturave ilegale në Kosovë.

“Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike. Megjithkëto, në tërësi në këtë shtyllë padyshim që ka ecje substanciale në dy shtylla tjera, atë të mbrojtjes dhe zhvillimit. Bashkëpunimi ushtarak po vijon me ç’rast blerja e pajisjeve dhe municioneve në administratën aktuale po shkon dhe më mirë”, tha Kurti./Arbresh.info