Kurti premton linjën hekurudhore që lidhë Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin dhe Bujanovcin

23:24 | 3 Shkurt 2025
E.H

Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti ka renditur disa nga zotimet e tij për mandatin e ardhshëm qeverisës në sektorë të ndryshme e që lidhen qytetin e Gjilanit.

Në një tubim në këtë komunë, Kurti teksa përmendi të arriturat e Qeverisë gjatë mandatit 4 vjeçar, premtoi investime miliardashe në ushtri, në prodhimtari e në investime kapitale, përcjell Arbresh.info

“Një miliard euro për ushtrinë e Kosovës dhe mbrojtjes cep më cep që të na ruaj kufirin, sovranitetin shtetëror dhe do të na mirëmbajë integritetin territorial. Një miliard euro për prodhimtarin. Kush prodhon do të mbështetet, do të ndihmohet. Në mandatin e ri asnjëherë nën një miliard euro investime kapitale”, tha Kurti para qytetarëve.

E në mesin e zotimeve ishin dhe projektet specifike për regjionin e Anamoravës.

“Austostrada e Gjilanit do të bëhet jo vetëm deri në Gjilan por deri te Dheu i Bardhë sepse na duhet në mënyrë jetike, jo vetëm tregtare e kulturore lidhja infrstrukturore me Luginën e Preshevës, Medvegjën e Bujanovcin. Stadiumi e Gjilanit gjithashtu do ta përfundojmë. E mos të harrojmë të përmendin që të gjitha rrugët ilegale në Anamoravë i kemi mbyllur përgjithmonë, teksa të shtunën ka filluar punën terminali shtetëror tek Dheu i Bardhë. Ky është lajm i keq për zhvatësit dhe plaçkitësit të cilët besonin se janë dogana e shtetit”, tha tutje Kurti.

Ndërsa po ashtu nga ana e kryeministrit u përmendën dhe projektet që kanë për qëllim ngritjen e rëndësisë strategjike e tregtare të Kosovës, e po ashtu lidhjen e pashkëputshme me bashkëkombasit tanë.

“Mandati i ardhshëm është mandat i hekurudhave. Do ta nisim projektin që lidhë Prizrenin e Ferizajin me Gjilanin dhe Bujanovcin. Pra nuk mjafton autostrada duhet dhe do ta kemi edhe hekurudhën”, tha në fund kryeministri Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme