Kurti mbledh ministrat, thotë se premtimet po i shndërrojnë në program

14:24 | 14 Mars 2026
E.K

Kryeministri, Albin Kurti, ka mbledhur ministrat e kabinetit të tij qeverisës, por jo në sallën e zakonshme të mbledhjeve. Ata janë bërë bashkë në një tjetër sallë më të madhe në godinën qeveritare, për të punuar për programin qeverisës.

Kreu i ekzekutivit thotë se në këtë takim dyditor, zotimet e fushatës e ekspozeja e paraqitur para ligjvënësve në ditën ku u votua Qeveria, do të shndërrohen në program qeverisës.

“Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, qytetarët na dhanë një besim të paparë në Kosovën e pasluftës. Ne kërkuam besimin qytetar për ta kthyer atë në siguri e begati. Nuk garuam me premtime që harrohen, por me zotime që jetësohen. Në dritë të kësaj, sot kemi filluar një takim të përbashkët të kabinetit tonë qeveritar, i cili do të vazhdojë për dy ditë rresht, me qëllim që zotimet e fushatës para qytetarëve dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve t’i shndërrojmë në program qeverisës”, ka bërë të ditur kryeministri.

Ai thotë se synimi i tyre në qeverisje është interesi publik, zhvillimi dhe barazia, integriteti dhe dinjiteti shtetëror.

“Zotime që kthehen në program dhe program që përkthehet në plane me projekte, qëllime me objektiva, strategji me operacione, masa me punë të përditshme që do të realizohen përgjatë këtij mandati. Angazhimi, e mira e përgjithshme dhe interesi publik, zhvillimi dhe barazia, integriteti dhe dinjiteti shtetëror kanë qenë dhe do të mbeten pikënisja dhe synimi i qeverisjes sonë” , ka shkruar kryeqeveritari.