Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar sot aktivistin politik Jusuf Gërvallën me rastin e 80-vjetorit të lindjes.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti tha se ndonëse Gërvalles iu ndërpre jeta që kur ishte 36-vjeçar, ai formësoi një profil prej gazetari, poeti, shkrimtari, këngëtari dhe aktivisti politik, transmeton Arbresh.info.
Ndër të tjera, Kurti kujtoi vargjet e këngës “Do të kthehem, nënë” të Jusuf Gërvalles teksa potencoi se ai kujtohet edhe nga aq shumë vizitorë në shtëpinë muze të tij në Dubovik.
Postimi i plotë:
Sot është ditëlindja e Jusuf Gërvallës, patriotit, artistit dhe aktivistit politik ndër më të rëndësishmit në historinë politike të Kosovës. Jusuf Gërvalla ka lindur më 1 tetor 1945 në fshatin Dubovik të Deçanit. Ai sot do të bëhej 80-vjeçar, sikur jeta e tij aq intensive, të mos ndërpritej dhunshëm nga një atentat politik i organizuar nga shteti i Serbisë ndaj tij, vëllait të tij Bardhoshit dhe bashkëveprimtarit të tyre Kadri Zekës, më 17 janar 1982, në Gjermani.
Gjatë jetës së tij të shkurtër që iu ndërpre kur ishte vetëm 36-vjeçar, Jusuf Gërvalla formësoi një profil prej gazetari, poeti, shkrimtari, këngëtari dhe aktivisti politik, brenda figurës së tij, që paraqet një personazh krejt unik në historinë e inteligjiencës kulturore dhe të artistëve të angazhuar polikisht në Kosovë. Këngët dhe poezitë e tij u kanë mbijetuar kohëve, bashkë me shembullin e përkushtimit në angazhim kombëtar dhe thellësisë në mendim politik.
Në tekstin e këngës “Do të kthehem, nënë”, Jusufi i këndonte vendlindjes së tij me këto vargje:
Kaluan pranvera e vjeshta o nanë,
Që kur ti e ndjell veç një kthim,
Nëse vetë nuk do të mundem,
Do i them birit tim.
Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim,
Të lutem jeto me shpresa o nanë,
Se dikush një ditë do të trokllojë,
Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi.
Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë.
Me këtë tekst kënge në mendje, përtej dhembjeve që përshkojnë kujtimet për fatin e Jusuf Gërvallës, duket aq madhështore që kaq vite pas, ai kujtohet edhe nga aq shumë vizitorë në shtëpinë muze të tij në Dubovik. Sikur sot, sikur çdo vit.
Lavdi Jusuf Gërvallës për gjithë veprën dhe jetën e tij!/Arbresh.info
Mungesë banesash në Zvicër: Një apartament 60-vjeçar ofrohet...
Varka me 20 emigrantë fundoset pranë bregdetit jugor të Kret...
Serbi: Familjet shqiptare kërkojnë drejtësi për të zhdukurit
Nuk u ndalua në pikën e kontrollit, policia e Cyrihut arrest...
Tragjedia në Zakynthos të Greqisë ku qeni mbyti 2 vjeçarin s...
“Mos më kërcëno!” – Londrimi i drejtohet Labinotit