Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e konceptit të Parkut Industrial në Gjakovë, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Duke e cilësuar Gjakovën qytet me traditë në ndërmarrësi, tregti dhe prodhim, në të cilin puna është kulturë, kryeministri në detyrë tha se sektori privat është lokomotiva e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Plani ynë është që gjatë katër viteve të ardhshme të ndërtojmë 14 parqe industriale në gjithë Kosovën, me një investim prej 30 milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Mitrovica, Gjilani, Lipjani, Drenasi, Rahoveci dhe Podujeva, janë vetëm disa nga komunat ku do të zhvillohen këto parqe. Dhe natyrisht, në këtë vizion nuk mund të mungojë Gjakova”, tha ai.
Kryeministri në detyrë Kurti përmendi synimet për forcimin e prodhimit vendor, për zëvendësimin e produkteve të importuara dhe rritjen e eksportit me prodhime “Made in Kosova”.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar përfaqësues të bizneseve,
Të nderuar ndërmarrës dhe partnerë të sektorit privat,
E nderuara ministre Mimoza Kusari-Lila,
Të nderuar zëvendësministra Zef, Arton e Fatban,
Të nderuar të pranishëm,
Jam i gëzuar që jemi sot bashkë këtu në Gjakovë, një qytet me traditë në ndërmarrësi, tregti dhe prodhim. Aq shumë traditë saqë mund të thuhet që në Gjakovë puna është kulturë.
Sektori privat është lokomotiva e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Janë bizneset tona ato të cilat krijojnë vende të reja të punës, gjenerojnë të hyra për familjet anembanë dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit.
Prandaj, në vizionin tonë qeverisës, kthimi i mbështetjes tek biznesi shihet si domosdoshmëri për zhvillim. Sa më shumë që rriten bizneset tona, aq më shumë rritet edhe ekonomia e Kosovës, aq më shumë forcohet shteti dhe përmirësohet mirëqenia e qytetarëve tanë.
Ne duam që shteti të jetë partner zhvillimor për biznesin, kurrsesi pengesë. Kjo nënkupton politika më të favorshme, procedura më efikase, më shumë mbështetje dhe gjithsesi më pak barriera administrative.
Mbështetja e prodhimit vendor është tejet me rëndësi për uljen e deficitit tregtar. Synimi ynë është që të forcojmë prodhimin vendor, t’i zëvendësojmë produktet e importuara dhe gjithnjë e më shumë ta rrisim eksportin me prodhime “Made in Kosova”.
Si dëshmi për këtë kemi dy fakte të pamohueshme, sepse janë shifra, janë statistika, janë realiteti: gjatë qeverisjes sonë është dyfishuar qarkullimi i kompanive private, ndërkaq fitimet janë rritur për më shumë se dy herë e gjysmë. Para qeverisjes sonë asnjëherë fitimi i gjithmbarshëm i korporatave në sektorin privat nuk ka mbërri 900 milionë euro, ndërkaq në vitin e kaluar fitimi ishte 2.3 miliardë euro. Këtë e dimë nga të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës. Do me thënë më shumë se dy herë e gjysmë më shumë është ngritur fitimi i korporatave në sektorin privat. Dhe natyrisht që kjo është pasojë direkte e rritjes së qarkullimit të tyre. Qarkullimi është rritur nga 12.5 miliardë në 25 miliardë euro në vitin e kaluar.
Teksa vazhdojmë mbështetjen për bizneset përmes skemave të granteve, certifikimit të produkteve për qasje në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe përmes lehtësimit të pjesëmarrjes së bizneseve tona në forume ekonomike, panaire dhe aktivitete rrjetëzimi, gjithashtu edhe dëgjojmë me kujdes të gjitha vërejtjet dhe sygjerimet e biznesmenëve tanë.
Në fillim të kësaj jave Republika e Kosovës ishte shtet partner dhe bashkë-organizatore e konferencës ndërkombëtare “Future Industry Mindes” në Gjermani, ku për dy ditë me radhë kompanitë tona nga sektori privat patën një mundësi të jashtëzakonshme për lidhje kontaktesh të reja dhe shkëmbime, me synim zgjerimin në tregje të reja dhe rritjen e eksportit.
Në të njëjtën kohë, po investojmë në digjitalizim, inovacion dhe në lidhjen më të fortë ndërmjet arsimit dhe sektorit privat, sepse ekonomia moderne kërkon dije, teknologji dhe fuqi punëtore të përgatitur. Edhe në epokën e sotme të inteligjencës artificiale është e qartë se kurrë s’kemi pasur më shumë nevojë për inteligjencë njerëzore, pra për njerëz të përgatitur, gjithnjë e më të përgatitur.
Paralelisht, ne po punojmë për ta bërë Kosovën një destinacion më tërheqës për investitorët e huaj. Afërsia me tregun e Bashkimit Evropian, fuqia e kualifikuar punëtore, si dhe kostot konkurruese na pozicionojnë shumë mirë në këtë drejtim.
E një potencial të posaçëm për këtë zhvillim paraqet edhe mërgata jonë.
Ata janë gjysma tjetër e Kosovës, të shpërndarë në Evropë, Amerikë dhe më gjerë. Lidhja e tyre me vendlindjen është unike. Sa më shumë që takohem dhe bisedoj me ta, aq më shumë bindem për potencialin e madh që kanë për të investuar dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit tonë.
Prandaj, krahas planeve për investimeve në infrastrukturën bazike si rrugët, hekurudhat dhe rritja e kapaciteteve energjetike, kemi zhvilluar një vizion të ri të për parqet industriale.
Plani ynë është që gjatë katër viteve të ardhshme të ndërtojmë 14 parqe industriale në gjithë Kosovën, me një investim prej 30 milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Mitrovica, Gjilani, Lipjani, Drenasi, Rahoveci dhe Podujeva, janë vetëm disa nga komunat ku do të zhvillohen këto parqe.
Dhe natyrisht, në këtë vizion nuk mund të mungojë Gjakova.
Në Gjakovë tashmë kanë nisur themelet e zonës industriale ushtarake, ku investitorë seriozë do të prodhojnë dronë, armë dhe municion “Made in Kosova”. Por sot jemi këtu për të folur edhe për një projekt tjetër me rëndësi strategjike. Parkun e parë Industrial të Gjelbër në Kosovë, të konceptuar me mbështetjen e ekspertëve gjermanë.
Plani është që hapësirat e Metalikut dhe Virgjinias t’i transformojmë në një park industrial modern dhe plotësisht funksional.
Ministrja, kolegia ime, Mimoza Kusari-Lila, do të prezantojë më në detaje modelin e parkut, por ideja kryesore është të krijojmë kushte më të mira për bizneset, të ulim kostot operative, të reduktojmë ndikimin negativ në mjedis, të rrisim punësimin dhe të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë pa dallim.
Në fund, unë dua t’ju falënderoj për punën, përkushtimin dhe kontributin tuaj për Kosovën.
Ju siguroj se si Qeveri e Republikës do të vazhdojmë të jemi pranë bizneseve dhe të punojmë çdo ditë për të krijuar më shumë mundësi për zhvillim.
Ju faleminderit!/Arbresh.info
Rregulla të reja në Ulqin: Gjoba deri në 500 euro për ata që...
“Përse u ndave me babin”, pyetja e sikletshme që...
E ofendoi publikisht, Fabjola për Arbanën: Ajo nuk duhet të ...
Kurti: Do të investojmë 30 milionë euro në parqe industriale
Hamza: Qytetarët kanë nevojë për zgjidhje serioze, jo për pë...
Evakuim masiv në Pforzheim: Rreth 30 mijë banorë largohen pa...