Kurti asnjë fjalë për presidentin – nesër përfundon afati kushtetues

12:04 | 27 Prill 2026
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka folur asnjë fjalë lidhur me çështjen e presidentit, ndërsa nesër përfundon afati kushtetues.

Partitë politike ende nuk kanë arritur konsensus për një emër që do të siguronte pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në procesin e votimit.

Lëvizja Vetëvendosje të shtunën doli me një propozim të ri, duke kërkuar nga PDK dhe LDK që të propozojnë tre emra jopartiakë, ndërsa njëri prej tyre të zgjidhet president.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, u dha afat deri të dielën mbrëma kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të paraqitur tre kandidatë. Megjithatë, ky afat ka kaluar pa ndonjë propozim nga dy partitë opozitare.

Mbrëmjen e së dielës pati përplasje deklaratash mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se ende po presin emra konkretë nga opozita.

“Për shkak të rëndësisë së situatës dhe afateve, mbesim në pritje të propozimeve konkrete dhe ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e tre emrave dhe t’i japim fund krizës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nga ana tjetër, deputetët e LDK-së, Jehona Lushaku dhe Besian Mustafa, pyetën publikisht shumicën parlamentare nëse i ka 66 votat e nevojshme.

“A deshët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, ka shkruar Lushaku.

Ndërsa Mustafa ka reaguar me pyetjen: “Ku mbetën qato 66 vota? A i keni a jo?”./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Nesër afati i fundit për presidentin – si u përplasën të dielën mbrëma VV e LDK

Shpërndaje në rrjete sociale