Nesër përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur konsensus për një emër që do të siguronte pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në procesin e votimit.
Lëvizja Vetëvendosje të shtunën doli me një propozim të ri, duke kërkuar nga PDK dhe LDK që të propozojnë tre emra jopartiakë, ndërsa njëri prej tyre të zgjidhet president.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, u dha afat deri të dielën mbrëma kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të paraqitur tre kandidatë. Megjithatë, ky afat ka kaluar pa ndonjë propozim nga dy partitë opozitare.
Mbrëmjen e së dielës pati përplasje deklaratash mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se ende po presin emra konkretë nga opozita.
“Për shkak të rëndësisë së situatës dhe afateve, mbesim në pritje të propozimeve konkrete dhe ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e tre emrave dhe t’i japim fund krizës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Nga ana tjetër, deputetët e LDK-së, Jehona Lushaku dhe Besian Mustafa, pyetën publikisht shumicën parlamentare nëse i ka 66 votat e nevojshme.
“A deshët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, ka shkruar Lushaku.
Ndërsa Mustafa ka reaguar me pyetjen: “Ku mbetën qato 66 vota? A i keni a jo?”.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se këto janë dy ditë vendimtare, ku ose zgjidhet presidenti, ose mandati i kthehet deputetëve.
Të shtunën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se mund ta propozojnë edhe Vjosa Osmanin për presidente, nëse Vetëvendosje garanton 66 vota për zgjedhjen e saj.
Nga ana tjetër, PDK refuzoi ofertën e LVV-së. Kryetari i saj, Bedri Hamza, përmes një videoadresimi tha se Kurti po tenton t’ia hedhë fajin opozitës për bllokimin e procesit.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve të reja, në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues. Sipas ligjit, ato do të duhej të mbaheshin më së voni më 7 qershor.
Nëse shpallen, këto do të ishin zgjedhjet e pesta brenda 16 muajve./Arbresh.info
Tre persona të lënduar nga shpërthimi i një bombole gazi në ...
Tronditet Holanda, Simons humbet Botërorin
Vrasja e dyfishtë në Lezhë, identifikohen 2 automjete të për...
Behrami kërkon raportim të Trendafilovës në komisionin për t...
Rama mbledh kabinetin qeveritar dhe Grupin Parlamentar të PS...
Sot nis gjyqi në themel, Meta kërkon që gjithçka të transmet...