Kroi që morri emrin e “Shyt Marecit”, dhe uji shërues i Radashefcit

13:22 | 17 Janar 2021 | Vlora SELIMI

Dikur këtë rrugë e bënte më shpesh, por tash gjerat kanë ndryshuar.

Është ky 80 vjeçari Gani Berisha, që në mendjen e tij i ka të freskëta ende kujtimet dhe tregimet e fshatit të tij të lindjes, Radashefc, vend ky disa kilometra larg Prishtinës.

Këmbët e dërgojnë në vendin që ka një histori për këtë pjesë të Gollakut.

Kroi i njohur si “Shyt Marecit”, ka në vete një legjendë.

Kjo grykë ishte vend për mbrojtje i ushtarëve të njohur në atë periudhë si Ballista, fillon rrëfimin Ganiu, ndonëse tash kjo pjesë ka mbetur nën mëshirën e banorëve dhe pa infrastrukturë.

“Kjo grykë këtu ka qenë qëndrim për ushtarët Ballista që kanë qenë në atë periudhë. Qysh kanë kallxue prindërit tanë ata ushtarë i ka udhëhequr një person më emrin Shytë i cili ishte nga Marevci. Shkaku i veprës së tij ky krue ka marr emrin tij. Këtu ata kanë qëndruar në borë e në shi”.

E ky person që me emër mjaft i njohur dhe me nam, sipas Ganiut legjenda e tij është tek pushka.

“Shyti qysh kanë thanë nuk ka qenë i madh me trup por ka qenë azgan dhe thonë që të gjithë ju kanë tut. Ky krue e ka marr emrin e tij se këtu ai ka pi ujë dhe kjo ka qenë vendi ku ai ka luftuar”.

Duket se në këtë fshat legjendat s’kanë të ndalur.

Vetëm pak metra më poshtë se ky krue, është dhe një tjetër tregim.

Ky ujë që rrjedh lirshëm në skaj të rrugës, ka një histori.

Është ujë shërues dhe në vete ka një tregim, vazhdon rrëfimin Ganiu.

“Është ujë shërues, është i mirë për sy dhe për bubrek”.

E ndonëse i shtyrë në moshë, duket se vendi i lindjes është ai vend ku Ganiu gjenë qetësinë.

Në këtë pjesë vij verës dhe qëndroj, thotë ai, duke treguar se si ka ruajtur gjërat e vjetra në mënyrë që të rinjtë mos të harrojnë traditën./V.Selimi/arbresh.info/

Lajmet më të lexuara