Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani bëri homazhe dhe vuri lule te varrezat e të rënëve në masakrën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër të Komunës së Drenasit, të kryer nga forcat pushtuese serbe.
Masakrën e Poklekut në të cilën u vranë 54 civilë shqiptarë, në mesin e tyre 25 fëmijë, Konjufca e cilësoi ndër masakrat më të tmerrshme të gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë, përcjell Arbresh.info
“Nga 54 persona që këtu u vranë, 25 ishin fëmijë, gjë që e vërteton qëllimin gjenocidal të Serbisë, sepse gjithkush e shtron pyetjen e natyrshme, çfarë faji kishin fëmijët. I vetmi faj i tyre ishte se ishin shqiptarë. Ne ndihemi të pikëlluar dhe të poshtëruar që kurrë nuk erdhi drejtësia për të gjithë këto krime, të cilat i kryen forcat e armatosura të policisë dhe ushtrisë serbe”, tha Konjufca.
Kreu i Kuvendit tha se qëllimi i vetëm i Serbisë ishte që përmes masakrave si kjo në Poklek e Çikatovë e Vjetër, në të cilat nuk kurseu as pleqtë, gratë e fëmijët, të fuste tmerr e frikë te populli i Kosovës, për ta lënë vendin, ndërsa ajo ta bëjë Kosovën serbe.
“Ky ka qenë qëllimi i vërtetë i gjenocidit, shfarosja dhe zhdukja e popullit tonë. Por kjo nuk u arrit, për arsye se ne formuam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe fal luftës së saj, bashkë me forcat e NATO-s, Serbia u shporr nga Kosova dhe populli e gëzoi lirinë e shumëpritur”, shtoi Konjufca.
Konjufca bashkë me presidenten Osmani dhe kryetarin e komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci vizituan shtëpinë – muze të Sinan Muqollit, në Poklek në të cilën më 17 prill 1999 janë vrarë e më pas janë djegur 54 shqiptarë, shumica nga ta fëmijë./Arbresh.info

Kancelari gjerman: SHBA po mposhtet nga Irani në tryezën e b...
Sot vazhdon seanca për zgjedhjen e presidentit
E marte me diell dhe vranësira
Abdixhiku reagon sërish: Mes shtetit ‘karate’, propagandës e...
Kurti pas daljes nga Kuvendi: Kam besim se presidenti zgjidh...
Rodrygo thotë se “konkurrenca e fortë” mes tij dhe Mbappes, ...