Konjufca: Dëshmorët dhe martirët janë themeli i lirisë që e gëzojmë sot

18:35 | 1 Maj 2021

Sot, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, bëri homazhe në Nabërqjan të Pejës, për të nderuar jetën dhe veprën e të rënëve të këtij lokaliteti, të vrarë nga forcat ushtarake e policore serbe.

Pasi vendosi lule në kompleksin memorial të të rënëve të Nabërgjanit, ai iu drejtua familjarëve të tyre, duke iu thënë se shteti ynë nuk do të ishte ndërtuar pa kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve tanë, transmeton arbresh.info

Duke kujtuar ngjarje dhe momente të ndërhyrjes së NATO-s për të parandaluar gjenocidin e forcave serbe në Kosovë, Konjufca tha se aktet gjenocidale të Sebisë janë të pafalshme dhe se drejtësia do të kërkohet deri në fund.

Kryetari i Kuvendit theksoi se kërkimi i vazhdueshëm i drejtësisë është çështje prioritare e institucioneve të shtetit dhe se çdo hap i bërë në këtë drejtim është përmbushje e amanetit të të gjithë të rënëve për liri dhe pavarësi, bëhet e ditur përmes komunikatës së lëshuar për medie.

Po ashtu, kryekuvendari Konjufca theksoi se dëshmorët dhe martirët e shtetit tonë janë themeli i lirisë që e gëzojmë sot, andaj memoria kolektive për historinë e dhimbshme në të cilën ka kaluar Kosova, duhet të ruhet dhe të mbrohet fuqishëm.

“Zemrat tona qetësohen dhe të rënët tanë prehen, vetëm atëherë kur drejtësia vihet në vend”, theksoi  Konjufca, pas dëgjimit të rrëfimeve nga të afërmit e të rënëve nga Nabërgjani i Pejës.​/arbresh.info/

Lajmet më të lexuara