Me miratimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ishte miratuar edhe ligji që garanton mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare për të gjithë personat që ballafaqohen me këto aktakuza, por sivjet Ministria e Drejtësisë ka hequr nga amendamenti mbulimin e shpenzimeve të paparashikuara, duke mbuluar vetëm shpenzimet brenda limiteve të përcaktuara. Njohësit e drejtësisë thonë se është mungesë e vullnetit politik për ta adresuar këtë çështje.
Ministria e Drejtësisë në vitin 2024 ka bërë plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për mbrojtje juridike për personat e akuzuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Megjithatë, jo të gjitha shpenzimet e të akuzuarve, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, po mbulohen.
Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se shteti i Kosovës duhet t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e avokatëve, por edhe shpenzimet tjera për të siguruar përfaqësim sa më dinjitoz për të gjithë të akuzuarit ose të dyshuarit.
“Sepse plotësim-ndryshimi i ka hequr këto dy pika, mirëpo këto nuk e arsyetojnë shtetin, duhet të sigurojnë mbrojtje sa më efektive për të gjithë të akuzuarit në këtë gjykatë. Duhet të sigurohen të gjitha kushtet dhe duhet të merren shembull edhe shtetet e rajonit siç është Kroacia, si ka vepruar me mbrojtjen e të akuzuarve të vet dhe të gjithë të akuzuarve duhet të ju sigurohet një mbrojtje sa më efikase dhe e dinjitetshme në Dhomat e Specializuara të Kosovës”, tha Kolaj.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se mbrojtja juridike dhe mbështetja financiare e personave, të cilët akuzohen nga Dhomat e Specializuara, është obligim ligjor i shtetit të Kosovës.
“Prej ndryshimeve të fundit që janë bërë është hequr mundësia që kur për shkaqe të arsyeshme ka tejkalim të shpenzimeve nga ana e Ministrisë me Udhëzim Administrativ kjo mundësi shtesë është hequr, prandaj vlerësoj se kjo është kryekëput refleksion i mungesës së vullnetit politik për ta adresuar këtë çështje tepër me rëndësi, për faktin se të njëjtit ballafaqohen atje në kapacitet ish-krerëve të UÇK-së”, tha avokati Bajraktari.
Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, kërkon nga Qeveria e Kosovës që t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për mbrojtje profesionale, në përputhje me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për këtë qëllim.
“Në kërkojmë vetëm respektim të ligjit. Ndryshimet e bëra në Udhëzimin Administrativ e kanë vënë ekipin mbrojtës të ish-presidentit Thaçi në situatë të pamundësisë objektive për ta kryer funksionin e tij. Në mungesë të mjeteve financiare është larguar edhe njëri prej avokatëve kryesore të z. Thaçi, por edhe aktualisht po përballemi me vështirësi të mëdha për mbulimin e shpenzimeve dhe ruajtjen e pjesëtarëve të ekipit mbrojtës”, thuhet në një përgjigje për RTK-në.
Nga ana tjetër, Shqipe Selimi, bashkëshortja e ish-komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi, i cili, po ashtu, gjendet në Hagë, ka folur për këtë temë.
“Të gjitha shpenzimet e mbrojtjes së Rexhep Selimit janë mbuluar ashtu siç e parasheh marrëveshja mes avokatit dhe Ministrisë së Drejtësisë”, tha ajo.
Nga kjo ministri nuk i janë përgjigjur pyetjes së RTK-së lidhur me këtë fond. Por, RTK ka mësuar së buxheti i ndarë për vitin 2024 për këtë divizion është mbi gjashtë milionë euro, ndërsa shuma e cila është shpenzuar nga janari deri në korrik të këtij viti, për mbrojtjen e të akuzuarve, ka arritur shifrën mbi tre milionë euro.
Haxhiu pret në takim Palatovën, pranon raportet e BE-së për ...
Çështja e presidentit, nis takimi në Kuvend mes Kurtit dhe A...
Ikonat e futbollit në një vend, Ronaldinho, Kaka dhe Adriano...
IQMT rrit kontrollet dhe konfiskon produkte jashtë standarde...
Arrestohen tre persona të dyshuar për vjedhje në Prishtinë
Plani operativ “Stop Drogave” në Prishtinë/ Arrestohen 8 per...