KLMDNJ: Aktakuza ndaj Agim Bahtirit mund të ketë motive politike

16:33 | 6 Mars 2016
M. A.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut kërkon nga organet e drejtësisë që të kryejnë punën në mënyrë të pavarur, pa ndikime politike, në rastin e hetimit të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit. KLMDNJ, dega në Mitrovicë, konsideron se në administratën komunale, nuk është shënuar asnjë rast i dukurive negative, që nga ardhja e Bahtirit në krye të Komunës së Mitrovicës. Përmes një njoftimi për media, KLMDNJ shpreh dyshimin se ngritja e aktakuzës për Bahtirin në këtë kohë, ka motive politike.

“Gjatë gjithë verës, por edhe tani, kryetari Agim Bahtiri ka qenë dhe është nën presionin e ndërkombëtarëve, për të lëshuar pe në këtë drejtim, gjë të cilën ai me plotë të drejtë nuk është duke e bërë. Fatkeqësisht, ai ka mbetur po thuaj i vetëm në këtë betejë. QR e KMDLNJ në Mitrovicë, siç u tha edhe në fillim, shpreh shqetësimin dhe dyshimin e vet, se ngritja e aktakuzës kundër kryetarit Bahtiri në këtë kohë, është një formë e presionit, frikësimit dhe e shantazhit të tij, për të lëshuar pe dhe për të plotësuar kërkesat e palës serbe, për ridefinimin e kufirit administrativ midis dy komunave, në kundërshtim me pakon e Ahtisarit”, thuhet në reagimin e KLMDNJ-së.

KLMDNJ thotë se të dhënat tregojnë se që prej ardhjes së Bahtirit në krye të komunës, nuk është shënuar asnjë rast i dukurive negative, si ryshfeti, korrupsioni apo krimi i organizuar.

“KMDLNJ në Mitrovicë, lidhur me ngritjen e kësaj aktakuze shpreh shqetësimin dhe dyshimin e vet, se aktakuza e ngritur kundër kryetarit Agim Bahtiri në këtë kohë dhe në këtë mënyrë, mund të jetë e motivuar politikisht dhe me qëllim të shantazhimit dhe frikësimit të tij, për shkak të qëndrimit kategorik e parimor që ai mbanë kundër ndryshimeve të kufirit administrativ midis komunës legjitime të Mitrovicës dha asaj të formuar në veri të Mitrovicës, të përcaktuar me pakon e Ahtisarit dhe qëndrimit të tij kundër mbylljes së urës kryesore mbi lumin Ibër, që ishin dhe janë kërkesa të ekstremistëve serbë”, thuhet në reagimin e KLMDNJ-së.

KLMDNJ kërkon nga organet e drejtësisë që të jetë të kujdesshme e të pavarura në punën e tyre lidhur me shqyrtimi e aktakuzës kundër Bahtirit, në mënyrë që, siç thuhet në njoftim, rasti të ndriçohet vetëm në bazë të ligjit.

Në fillim të kë tij muaji, Prokuroria Speciale ka ngritë aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirit, për veprat penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe Marrëveshje për kufizimi e konkurrencës përmes ftesave për tender.

Shpërndaje në rrjete sociale