Këto janë kërkesat që Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat i dorëzoi Kuvendit

17:22 | 25 Maj 2021

Kryetari i Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës kërkesat e Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat.

Pas takimit që pati me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, Azemi përmes një konference për media tha se çështja kryesore e kësaj Sindikate ishte situata e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë.

“Ne kemi një obligim që të takohemi me gjithë përfaqësuesit shtetëror dhe të tregojmë për gjendjen e rëndë të punëtorëve të sektorit privat. Pas vizitave që do t’i bëjmë, normal që ne do të veprojmë karshi përgjigjeve që do të marrim nga institucionet shtetërore”, tha Azemi.

Sipas tij, është bërë kohë e gjatë që Sindikata dëshiron që paga minimale në sektorin privat të lëvizë me shpejtësi shumë më të madhe, sepse sipas tij, punëtorët janë të lodhur me pagat të cilat kanë.

“Ne kemi kërkuar që në një farë forme programi i kryeministrit të jetë më i detajuar dhe për të gjitha ato që ka premtuar, përfshirë atë që do të kemi pagë më të madhe se kjo që e kemi, që ka premtuar që do të kemi Gjykatë të punës. Ne nuk e dimë sot saktë se kur do të bëhet rritja e pagës minimale, nuk e dimë saktë se kur do të nënshkruhet marrëveshja kolektive dhe nuk e dimë saktë se kur do të funskionalizohet Gjykata e punës”, u shpreh Azemi, shkruan arbresh.info.

Po ashtu, Azemi tha se me nënkryetaren e Kuvendit ka biseduar edhe për një fond social, i cili sipas tij, do të jetë për punëtorët që janë larguar nga puna pa dëshirën e tyre, për ata që fatkeqësisht gjatë periudhës së punës mund të humbin jetën e tyre dhe sado kudo të jetë një mbështetje financiare.

Azemi bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për Inspektoratin e Punës, i cili sipas tij, nuk po e kryen punën e tij.

“Kemi biseduar edhe për Inspektoratin e Punës, i cili sipas nesh nuk është duke e kryer punën dhe duhet intervenuar. Jemi të gatshëm për bashkëpunim, por është shumë normale që ne jemi të gatshëm edhe për intervenim”, tha Azemi.

Sindikata po ashtu kërkon që punëtorët teknik në shkolla të paguhen dy herë nga 100 euro, njëjtë siç janë paguar punëtorët e arsimit.

“Kemi bërë një njoftim se duhet të paguhen nga dy herë me nga 100 euro punëtorët teknik të cilët punojnë nëpër shkolla, pasi që punëtorët e arsimit në të njëjtin ambient janë paguar. Andaj edhe ne do kërkojmë, sepse jemi të barabartë. Nëse ata janë me aftësi profesionale më të mëdha, Covid-i nuk njehë brenda një ambienti se cili është në mënyrë më profesionale dhe kush më të thjeshtë”, është shprehur kreu i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

“Kemi bërë njoftimin se edhe pagat në sektorin publik janë trefish më të mëdha se sa në ato privat. Kemi marrë një dakordim se për gjitha këto kërkesa që ne ua lamë në tavolinë, nënkryetarja e Kuvendit bashkë me kryeministrin do të detalizohen dhe do të dimë sado kudo se kur do të rritet paga minimale, kur do të nënshkruhet marrëveshja kolektive dhe kur do të filloj së implementuari edhe Gjykata e punës dhe fondet tjera, të cilat i përmendem më herët”, tha Azemi./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara