KEDS: Asnjë njehsor nuk është manipuluar, deklaratat politike po dëmtojnë besimin publik

15:42 | 21 Maj 2026
A Z

KEDS-i ka reaguar ndaj deklarimeve publike të përfaqësuesve politikë lidhur me sistemin e matjes së energjisë elektrike, duke i cilësuar ato si pretendime të rënda dhe të pabazuara, që, sipas kompanisë, rrezikojnë të dezinformojnë opinionin publik dhe të cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet dhe sektorët me rëndësi jetike për vendin.

Në një komunikatë për media, KEDS-i thekson se çështja e njehsorëve dhe nevoja për investime shtesë në modernizimin e rrjetit energjetik nuk është temë e re dhe se për vite me radhë kompania ka adresuar kërkesa dhe rekomandime pranë institucioneve përgjegjëse, përfshirë Zyra e Rregullatorit për Energji dhe institucionet qeveritare.

Sipas kompanisë, investimet në infrastrukturën energjetike dhe sistemet matëse reflektohen drejtpërdrejt në strukturën tarifore të aprovuar nga organet rregullatore.

KEDS-i garanton qytetarët se “asnjë njehsor nuk është manipuluar, ndryshuar apo tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme” dhe se deri më tani asnjë institucion kompetent nuk ka konstatuar apo provuar se ndonjë njehsor ka dëmtuar konsumatorët.

Tutje, kompania thekson se operon në një sektor plotësisht të rregulluar dhe monitorohet vazhdimisht nga institucionet përgjegjëse, në përputhje me standardet ligjore dhe teknike në fuqi.

KEDS-i deklaron se i beson institucioneve të drejtësisë dhe mbështet çdo proces hetimor profesional, objektiv dhe të pavarur për sqarimin e pretendimeve të ngritura në hapësirën publike.

Në të njëjtën kohë, kompania u ka bërë thirrje akterëve politikë dhe publikë që të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi në deklarimet e tyre, veçanërisht gjatë periudhave elektorale, duke shmangur akuzat shpifëse dhe pretendimet e pavërtetuara.

“KEDS-i nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e debateve politike apo fushatave elektorale”, thuhet në reagim, ku shtohet se kompania mbetet e përkushtuar ndaj furnizimit stabil dhe të sigurt me energji elektrike për qytetarët e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale