Kamberi: Për çlirimtarët e Kosovës janë shumë edhe 45 ditë burgim, e lëre më 45 vite

17:23 | 9 Shkurt 2026
E.G

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin me nga 45 vite burgim të secilit prej krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si të pabazë dhe politikisht të motivuar.

Sipas Kamberit, kjo kërkesë nuk ka për qëllim ndëshkimin e individëve të caktuar, por përbën një përpjekje për njollosjen e luftës çlirimtare të Kosovës dhe të vetë popullit shqiptar në përpjekjen e tij për liri dhe pavarësi, shkruan Arbresh.info.

Ai thekson se përmes këtij procesi, Prokuroria Speciale po tenton të dënojë sakrificën, angazhimin dhe vetëflijimin e shqiptarëve të Kosovës në rrugën drejt çlirimit nga shtypja, masakrat dhe mizoritë e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Kamberi vlerëson se, nëse synimi real do të ishte vendosja e drejtësisë, dënime të tilla të rënda do të duhej të kërkoheshin për ata që projektuan dhe zbatuan politikat e dhunës dhe spastrimit etnik, si dhe për udhëheqësit aktualë të Serbisë, e jo për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Në reagimin e tij, deputeti shqiptar thekson se për çlirimtarët e Kosovës janë të papranueshme edhe 45 ditë burgim, e jo më 45 vite, duke shtuar se vendi i tyre është në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit për të cilin u sakrifikuan, e jo pas grilave të burgut./Arbresh.info