Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke theksuar se çështjet që lidhen me rezultatin zgjedhor dhe përgjegjësinë politike nuk duhet të trajtohen përmes presioneve publike apo deklarimeve nga degë, simpatizantë apo individë jashtë strukturave vendimmarrëse të partisë.
Në një postim publik, Mustafa ka bërë të ditur se ka refuzuar të involvohet në debate mediatike për dorëheqje apo emra të përveçëm, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor është çështje etike dhe duhet të zgjidhet brenda organeve të LDK-së, e jo përmes “tifozllëkut” që, sipas tij, deformon demokracinë e brendshme dhe rrezikon përçarje në Kuvendin e ardhshëm të partisë.
Ai ka paralajmëruar se LDK ende nuk është shëruar nga pasojat e një Kuvendi përçarës të mbajtur para dy dekadash dhe se skenarë të tillë nuk i shërbejnë partisë.
Mustafa ka theksuar se LDK “nuk meriton epitafe” dhe se ata që e duan duhet të besojnë në potencialin dhe forcën vetërregulluese të saj për t’u ringritur si subjekt i fortë politik që garanton balancë demokratike në Kosovë. Sipas tij, përveç presidentit historik Ibrahim Rugova, LDK nuk duhet të identifikohet me asnjë emër të veçantë.
Duke folur për Kuvendin e partisë, ai ka nënvizuar se LDK duhet të rikonfirmojë identitetin e saj si parti konservatore e qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik, duke shtuar se beteja politike e saj nuk duhet të jetë “ankand”, por ofertë serioze për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm dhe funksional.
Në fund, Mustafa ka bërë thirrje për reforma që burojnë nga njerëz besnikë ndaj LDK-së, por të hapur ndaj prurjeve të reja, duke kundërshtuar ndarjet mes të vjetërve dhe të rinjve. Ai ka theksuar se përgjegjësia duhet të mbetet standard normal i etikës demokratike dhe se “asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt”.
FSK forcohet për tri vende, ushtria e Kosovës këtë vit e 138...
Haradinaj uron ambasadorin japonez për Ditën Kombëtare: Japo...
I paraburgosuri kërcen nga kati i dytë i Pallatit të Drejtës...
Spiropali takon Raporterin e PE: Synimi ynë, mbyllja e kapit...
PDK nesër mban konferencë për media
Eksporti i TIK-ut pesëfishohet, Kurti: Teknologjia po bëhet ...