Google ADS

I akuzuari për ngacmim seksual në Japoni, pritet të rikthehet në punë në MZHE

13:59 | 14 Mars 2017
Arbresh.info

Drejtori në Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Sejdiu, gjatë qëndrimit në Japoni në vitin 2015 ku po merrte pjesë në një konferencë ndërkombëtare ishte akuzuar se kishte ngacmuar një femër.

Sejdiu ishte arrestuar më 7 shtator në Japoni pas dyshimeve për ngacmim seksual, derisa ishte në udhëtim zyrtar në këtë vend.

Aktualisht ai është i suspenduar dhe ka thënë për Arbresh.info se është në biseda me ministrin e Zhvillimit Ekonomik që të rikthehet në vendin e tij të punës.

Sejdiu pretendon se i është bërë e padrejtë dhe se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka shpallur të pavlefshëm vendimin e MZHE-së për suspendimin e tij nga puna.

“Unë s’kam shkuar në gjykatë, nuk ka shkuar rasti në gjykatë. Është mbyllur rasti pa gjykatë, unë jam në biseda me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të rikthehem. Edhe më tutje unë i llogariti vendimet e Ministrisë dhe të Këshillit Pavarur Mbikëqyrës që i ka shpallur të pavlefshme vendimet e MZHE-së”, ka thënë Sejdiu për Arbresh.info.

Ai shton se ende është në pozitën e drejtorit ku kishte qenë para suspendimit, sepse sipas tij, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka shpallur të jashtëligjshëm largimin e tij.

“Unë jam në biseda me ministrin për rikthim dhe edhe në tutje, pasi nuk ka ndonjë vendim të Ministrisë tjetër po atij që e ka anulu Këshilli, unë edhe tash kur po flas jam në pozitën e drejtorit, sepse s’ka vendim legal dhe në fuqi për largimin tim që është shpallur i pavlefshëm nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës”, është shprehur ai.

Zyrtari i MZHE-së ka shtuar se ministri i ka premtuar se do ta kthej në punë në vendin ku ka qenë, apo në një pozitë tjetër.

“Ministri më ka thënë dhe më ka premtuar, kam edhe të dhëna me shkrim se do të rikthehem aty apo në një tjetër vend nuk e di dhe nuk jemi marr vesh ende. Unë po pres që ministri me i jetësuar ato premtime”, ka vazhduar Sejdiu.

Arbresh.info i ka shkruar pyetje përmes postës elektronike para më shumë se një jave Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në lidhje me këtë çështje, por këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.

Sejdiu pasi ishte kthyer në Kosovë më 2015 kishte postuar një shkrim në Facebook ku thoshte se është shpallur i pafajshëm nga shteti japonez.

“Pas një hetimi nga investiguesit shumë profesional dhe me mjete të sofistikuara, më në fund, më 19 Shtator u konstatua se denoncimi ishte i pabazë dhe i inskenuar për qëllime të caktuara dhe nuk kishte fakte mbi ngacmimin seksual, andaj Prokurori Publik e ndërpreu arrestimin pa pasur nevojë të shkohet në gjykatë”, kishte shkruar Sejdiu./Arbresh.info/Blerta Agushi