Hoxhaj: Gara në këto zgjedhje është në mes të PDK-së dhe Vetëvendosjes

15:53 | 13 Janar 2021

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Enver Hoxhaj, ka prezantuar platformën e rimëkëmbjes, që sipas tij do të jetë platformë zgjedhore e kësaj partie.

Ai, përmes një konference për media, tha se në këto zgjedhje, në garë janë PDK dhe Vetëvendosje.

Hoxhaj, u bëri thirrje të gjitha partive, e veçanërisht Vetëvendosjes që të paraqesin programet e tyre për këto zgjedhje, shkruan arbresh.info.

“E ftoj Vetëvendosjen, sepse gara në këto zgjedhje është vetëm mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Ne duam që t’i prezantojmë ofertat, t’;i krahasojmë ofertat dhe ta shohin qytetarët se kush e ka programin më të mirë që ta çojmë Kosovën përpara”, u shpreh Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt në programin e PDK-së përfshihet platforma e rimëkëmbjes politike, kombëtare dhe ekonomike. Kjo platformë sipas tij, ndërtohet në pesë shtylla.

“Prioriteti parë do të jetë rimëkëmbja ekonomike në kontekstin e pandemisë dhe pas pandemisë, pastaj përballja e menjëhershme me shëndetin e njerëzve për shkak të pandemisë dhe zhvillimi i një sistemi modern shëndetësor, zbatimi dhe promovimi i forcimit të ligjit dhe luftës së pa kompromis të korrupsionit, si dhe ndërtimi i një sistemi modern arsimor si dhe politika e jashtme deh ri ngritja e Kosovës si shtet në hartën e shteteve sovranë dhe të pavarura”, tha Hoxhaj.

Ai ndërkaq bëri të ditur se PDK nuk ka vija të kuqe me asnjë subjekt politik në vend.

“Vija të kuqe nuk kemi me asnjë subjekt politik në Kosovë. Vija të kuqe kemi me Serbinë, Rusinë, Kinën. Është shumë mirë që ata të cilët kanë pretendu që kanë vija të kuqe me PDK-në, tash i kanë heq këto vija të kuqe”, tha Hoxhaj.

Sa i përket NISMËS për Kosovën, Hoxhaj tha se ka PDK ka një raport shumë të mirë, sidomos me kreun e këtij subjekti politik, mirëpo këtë herë do garojnë vet.

Në raport me NISMA-n , ne kemi një raport të mirë, veçanërisht me kryetarin, Fatmir Limaj, por në këto zgjedhje, ne garojmë vet./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara