Haxhiu i përgjigjet shqetësimit të babait të Agonis Tetajt rreth deklaratës së ish-kreut të Supremes

20:53 | 15 Prill 2021

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ia ka kthyer letrën babait të Agonis Tetajt, Isuf Tetajt, pas shqetësimit që ky i fundit ka shprehur lidhur me deklaratat e ish-kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, i cili kishte thënë se beson që vrasja e Agonisit ka qenë nga pakujdesia.

Haxhiu në letrën drejtuar Isuf Tetaj thotë se është e shqetësuar me deklaratat e ish-kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, dhe se një person që ka qenë në hierarkinë më të lartë të sistemit të drejtësisë assesi nuk mund të bëj deklarime të tilla.

“Ju falënderoj për email tuaj me anë të së cilës shprehni shqetësimet në raport me deklaratat e ish Kryetarit të Gjykatës Supreme, z.Fejzullah Hasani. Jam njësoj e shqetësuar me qasjen dhe me deklaratat e tij të paqëndrueshme dhe që e dëmtojnë rëndë procesin. Një person që ka qenë në hierarkinë më të lartë të sistemit të drejtësisë assesi nuk mund të bëj deklarime të tilla të cilat për bindjen time kapërcejnë edhe lirinë e shprehjes.

Ju njoftoj që brenda kësaj kohe, prej sa kam marr detyrën si Ministre, kam pasur takime me përfaqësuesit e sistemit prokurorial dhe në secilin takim kam shprehur brengën mbi ndikimet e mundshme në përgjithësi mbi sistemin e drejtësisë dhe në veçanti edhe për rastin e vrasjes së djalit tuaj Agonis Tetaj. Gjithashtu për dyshimet mbi ndikimet e avokatëve në punën e prokurorëve”, thuhet në letrën e Haxhiut, të cilën e ka siguruar Telegrafi.

Ministrja e Drejtësisë zotohet tutje se rasti i Agonis Tetaj do të përcjellet me vëmendje nga institucionet e drejtësisë.

“Siç jeni në dijeni, reformat e thella mbi sistemin e drejtësisë janë të domosdoshme dhe janë prioritet i yni prandaj edhe do të punojmë në këtë drejtim me qëllim të kthimit të besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Jemi të vetëdijshëm që do të kemi sfida në këtë drejtim sikurse edhe kemi vullnetin dhe gatishmërinë për adresimin e këtyre sfidave.Pavarësisht deklaratave të paqëndrueshme të z.Fejzullah Hasani, rasti i vrasjes së djalit tuaj Agonis Tetaj tashmë ka marrë vëmendjen e opinionit publik dhe secili veprim i institucioneve të drejtësisë do të përcjellet me vëmendje.Drejtësia mbetet drejtësi vetëm kur u shërben të gjithëve”, vijon letra e ministres.

Ndryshe, Isuf Tetaj, babi i Agonis Tetajt i cili ishte vrarë në vendin e tij të punës në Deçan, i është drejtuar me një letër ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas deklaratave të ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, Fezjullah Hasani, ku ky i fundit deklaroi se beson që ka qenë vrasje nga pakujdesia.

Për deklaratat e Fejzullah Hasanit ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

KPK në reagimin e bërë për media konsideron se atakimet nga jashtë në punën dhe kompetencat e Kryeprokurorit të Shtetit përveç se janë të papranueshme, përbejnë edhe ndërhyrje në pavarësinë institucionale dhe kushtetuese të institucionit të Prokurorit të Shtetit, aq me tepër kur atakimet e tilla bëhen nga një ish-Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës.

Lajmet më të lexuara