Haxhiu: Dekreti i ngutshëm, zgjedhja e presidentit përgjegjësi e të gjithëve

21:34 | 30 Mars 2026
E.H

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kritikuar shpërndarjen e Kuvendit nga presidentja, duke theksuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë të nevojshme dhe se partitë politike duhet të bashkëpunojnë për zgjedhjen e presidentit, ndërsa i vetmi kandidat që ka arritur konsensus sipas saj, është Murat Jashari.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një intervistë për RTK-në ka folur për qëndrimet e subjektit politik që i takon për procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Për mua dekreti i presidentes ka qenë i ngutshëm, befasues, sepse s’kam pritur që ajo shpërndan Kuvendin e Republikës së Kosovës, sidomos për shkak se pas ndërprerjes së seancës së 5 marsit, unë i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për faktin se kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që kërkon që kur kemi raste të zgjedhjes së presidentit, deputetët duhet të jenë të gjithë të pranishëm, dhe aktgjykimi thotë minus ata që marrin leje nga kryetari i Kuvendit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë të nevojshme dhe duhet bërë përpjekje nga partitë politike që të dëshmojnë vullnet për zgjedhjen e një presidenti.

“Zgjedhja e presidentit të vendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në këtë drejtim, vlerësoj se ka pasur përpjekje nga ana e kryeministrit dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit, që të takohet me subjektet politike. Ajo çka unë nuk e kuptoj është se ata nuk vijnë me emra të përveçëm. Unë nuk e mbështes qëndrimin e PDK-së, nuk do ta mbështesja kushdo prej partive politike, e as LVV, në të ardhmen që të thoshte: ‘ma prano principin, m’i siguro 30 kandidat për një kandidat, 30 për të dytin, më garanto që njëri nga ta do t’i ketë 2/3’, dhe mandej të tregoj për emrin. Kështu s’do të mund të vendosja as për dikë që vjen nga LVV”, ka komentuar Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se i vetmi emër për president që ka siguruar konsensus ndërmjet partive politike ka qenë Murat Jashari.

“Unë e kuptoj qëndrimin e tij, nuk pajtohem por e respektoj, sepse mendoj që do të ishte historike për Republikën e Kosovës ta ketë president të vendit dikë nga familja Jashari, me theks të veçantë zotëriun Murat Jashari”, tha ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale