Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Boettcher, ka theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës, si dhe përgjegjësinë e përfaqësuesve politikë për të garantuar funksionimin normal të shtetit.
Diplomati gjerman ka thënë se është përgjegjësi e partive politike dhe e deputetëve të Kuvendit që të përmbushin pritjet e qytetarëve dhe të konstituojnë Kuvendin në përputhje me Kushtetutën.
“Është përgjegjësi e anëtarëve të parlamentit që ta konstituojnë Kuvendin në përputhje me Kushtetutën dhe të formojnë e zgjedhin një qeveri që do ta drejtojë vendin. Dhe nëse Kuvendi konstaton se rruga më e mirë përpara janë zgjedhjet e parakohshme, atëherë le të jetë ashtu”, ka thënë ai.
Sipas tij, është e nevojshme që parlamenti të formojë një qeveri të qëndrueshme, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të ndikojë negativisht në interesin e investitorëve dhe në mirëqenien e qytetarëve.
“Çdo ditë vonese në formimin e qeverisë dhe në avancimin e tranzicionit energjetik, Kosova rrezikon të humbasë interesin e investitorëve. Dhe kjo nënkupton humbje reale në para, në vende pune dhe në mirëqenie të ardhshme”, ka theksuar Boettcher.
Këto deklarata ai i bëri gjatë organizimit dyditor të Kosova Energy Forum dhe Green Business Expo 2025, ngjarje që synojnë të ofrojnë një platformë për diskutime mbi tranzicionin energjetik, liberalizimin e tregut të energjisë dhe sfidat për tërheqjen e investimeve në sektorin e energjisë së pastër dhe bizneset e qëndrueshme./rtk
Komandanti i KFOR-it: Prania e forcave në Kosovë nuk ka afat...
Ndalohen mbi 38 mijë lodra me vlerë prej 100 mijë eurosh në ...
Pacolli paralajmëron krizë mjedisore: Gjendja katastrofale e...
PDK: Kurti po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë dhe p...
Trump refuzon ofertën e Putinit për përfundimin e luftës me ...
Kurti mbledh ministrat, thotë se premtimet po i shndërrojnë ...