Gjenden dy zolla serbe në veri, Sveçla: Beogradi vazhdon të furnizoj grupet kriminale me mjete

17:56 | 21 Korrik 2025
E.H

Policia e Kosovës ka gjetur sot dy zolla të prodhimit serb në një ndërtesë të pabanuar në veri të Mitrovicës.

Lidhur me këtë ka reaguar ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku u shpreh se Beogradi nuk është distancuar asnjëherë nga këto mjete dhe veprime në veri të vendit, transmeton Arbresh.info.

“Këto raketahedhës krahu (zolla) janë armë të prodhimit serb, të gjetura sot nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Për nivelin dhe sasinë e armatimit të konfiskuar gjatë këtyre katër viteve jemi dëshmitarë të gjithë”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

LEXO EDHE:

Policia gjen dy zolla me prodhim serb në një kompleks banesor të pabanuar në veri

“Në anën tjetër, Beogradi jo vetëm që nuk është distancuar asnjëherë nga këto mjete dhe veprime në veri të vendit, por përkundrazi, për vite me radhë i ka stimuluar, organizuar dhe furnizuar grupet terroriste dhe bandat kriminale, me të vetmin qëllim: cënimin e integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla.

“Ne, megjithatë, jemi të vendosur që në mënyrë sistematike dhe pa asnjë dilemë të çmontojmë çdo prani kriminale apo potencial terrorist në vendin tonë. Çdo ditë e më shumë po e kthejmë rendin në atë pjesë të territorit dhe, bashkë me të, edhe investimet dhe zhvillimin për të gjithë qytetarët, pa dallim”, tha Sveçla./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale