Fillon “beteja” elektronike, “lajmet e rreme” kërcënimi më i madh në fushatë elektorale

08:05 | 15 Shtator 2021 | VLORA SELIMI

Qytetarët e Kosovës mund të ballafaqohen me informata e lajme jo të sakta.

Krejt kjo shkaku i fushatës elektorale që fillon sot, për Zgjedhjet Lokale 2021, dhe kryesisht është parlajmëruar se do të zhvillohet në formë elektronike.

Mos bërja e fushatës në mënyrë direkte shkaku i pandemisë do të sjell në rrjete sociale lajme jo të sakta e fyerje të ashpra mes kandidatëve, thotë për arbresh.info Mentor Hoxhaj, nga Komuniteti për Siguri Kibernetike e Privatësi.

“Presim involvivimin e të gjitha partive në këtë betejë virtuale. Ne si FactCheckerKS, do ju përgjigjemi kërkesave të lexuesve për verifikim të lajmeve dhe lajmeve me impakt. Sigurisht, do ditë e më shumë kandidatët dhe partitë politike ishin në pritje, se çka do ndodhë. Meqë situata është sqaruar, orientimi i fushatës do jetë kryesisht online”, deklaron Hoxha.

Se një luftë e ashpër në mediat online do të jetë gjatë këtyre ditëve madje edhe ka filluar e thotë Allen Meta nga Demokracia për Zhvillim (D4D).

Në një përgjigjeje për arbresh.info, Meta ka treguar edhe hapin që kanë ndërmarr për t’i parandaluar lajmet e rrejshme si organizatë.

“Partitë politike janë të prira të përdorin diskurs toksik, përfshirë këtu lajmet e rreme, gjuhë fyese, e ofendime ndaj njëra-tjetrës palë. Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), duke e parë një rritje enorme të diskursit toksik është duke implementuar një projekt i cili ka marrë zotimet e partive politike, mediave dhe shoqërisë civile, që ky diskurs do të ndalet si dhe e gjithë fushata do të jetë komplet korrekte”.

Ai tutje ka treguar se në fund do të përpilojnë një raport për të gjitha shkeljet ose jo të partive politike.

“Për këtë ne do të angazhohemi plotësisht në monitorimin e këtij diskursi në rrjete sociale, e do të reagojmë menjëherë nëse hasim në një diskurs të tillë, si dhe në fund do të përpilojmë një raport i cili do t’i ketë të gjitha informacionet se sa kanë qenë partitë politike korrekte në zbatimin e zotimeve të tyre”, ka përfunduar Meta.

Kujtojmë se zgjedhjet komunale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor.

Partitë politike opozitare kanë shprehur qëndrimin se janë të gatshëm të zvogëlojnë nga 30 ditë në 5 ditë fushatën elektorale shkaku i situatës me pandeminë./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara