Fëmijët gjermanë në ndihmë të fëmijëve kosovarë, pako me dhurata e kurse falas të gjermanishtes

14:02 | 6 Shkurt 2022
Përparim Bublaku

Fëmijët kosovarë ka kohë që gëzohen me pako të dhuratave prej fëmijëve nga Gjermania, dhe së shpejti shumë fëmijë do të mund të mësojnë edhe gjuhën gjermane falas, shkruan arbresh.info.

Varfëria dhe padrejtësitë sociale mbesin ende një pikë kryesore e parregulluar në Kosovë.

Për këtë shumë organizata në vend janë angazhuar në mënyrë që të zbusin sadopak gjendjen e krijuar tash e sa vite, të krijuar pas përfundimit të luftës në Kosovë.

E një funksion të tillë po e kryen edhe ADRA Kosova, organizatë humanitare jo-fitimprurëse, joqeveritare, ku qëllim primar ka ofrimin e ndihmës humanitare dhe zbatimin e programeve zhvillimore, shkruan arbresh.info.

Milan Bogojeviç, menaxher në ADRA Kosova, për arbresh.info tha se kjo organizatë  është qe disa vite në Kosovë dhe ka funksionuar deri me tani me projektin “Fëmijët për Fëmijët”.

“ADRA ekziston qe disa vite në Kosovë, në këtë vit kemi funksionu me projektin e ‘fëmijët ndihmojnë fëmijët’ nga fëmijët që jetojnë në Gjermani. Këtë vit e kemi menduar që këto dhurata tua ndajmë atyre fëmijëve që janë më të dobët ekonomikisht. Kemi bërë ndarjen e paketave kryesisht një të tretën e dhuratave, ku kryesisht kemi kërkuar që këto të ndahen nëpër shkolla, në shkolla të përziera kryesisht nga komunitetet e ndryshme që janë në Kosovë. Më së shumti të pranishëm jemi në Prishtinë por që shtrihemi edhe në qytetet e tjera në Kosovë, ndërkaq mund të themi që ishim të shtrirë edhe në Gorë, e po ashtu edhe në fshatin Restelicë.”

Përpos shpërndarjes së këtyre pakove kjo organizatë synon edhe fuqizimin e grave sidomos grave të komuniteti rom që sipas Bogojeviç, ka ngecje më të mëdha.

“ADRA nuk merret vetëm me këto paketime, pra me shpërndarjen e tyre, pasi që tani ne kemi edhe një plan tjetër ku është edukimi i grave, ku më të veçuarat janë vajzat nga komuniteti room, pasi që kemi mëndu që tek ato kemi ngecje sa i përket çështjes së edukimit”

Në këto pako gjenden një llojllojshmëri apo kombinim i gjërave që vendosen nga fëmijët gjerman për fëmijët këtu në Kosovë.

“Kryesisht në paketa është një lloj kombinimi ku ka fletore, lapsa, ushqime, çokollata, ku përfshin grup moshat e ndryshme, ku janë 3-6, 7-10 si dhe 10-14 vjet. Desha të theksojë që kryesisht janë fëmijët gjerman që i mbushin këto paketa dhe i destinojnë këto për fëmijët në Kosovë”, tha Bogojeviç.

Programet humanitare dhe zhvillimore përfshijnë gjithashtu ofrimin e ndihmës humanitare në raste urgjente.

Por ajo që vlen të theksohet me tu pranuar këto pako është lumturia e fëmijëve.

“Fëmijët janë të lumtur kur i pranojnë këto dhurata dhe ndjehen me fat, e ku në disa raste kemi kur edhe të moshuarit ndjehen të gëzuar kur shohin këto dhurata. Me hapjen e paketës te fëmijët arrin të shohësh buzëqeshjen e tyre në fytyrat e tyre te vogla, e më këtë ne jemi shumë të lumtur që kemi mundësi ti shohim këta fëmijë të gëzuar dhe të buzëqeshur. Ka momente kur disa nga fëmijët nuk e dinë se çka është edhe çokollata”, tha Bogojeviç

 

Pandemia stopoi shumë gjëra nëpër bot përfshirë këtu edhe organizata siç është ADRA si shkak i mos shpërndarjes së virusit famëkeq.

Por me tu përmirësuar gjendja ADRA filloi me shpërndarjen e pakove ku vitin e kaluar u shpërndan 2900 sosh.

“ADRA është kompani gjermane ku ne punojmë në kuadër të ADRA Kosova, ata bëjnë vetëm mbledhjen dhe ne e bëjmë shpërndarjen. Ne e shohim se ku ka nevojë më shumë organizohemi se ku janë më të mëdha nevojat për tu pranuar këto dhurata. Vitin e kaluar nuk kemi shpërndarë asgjë shkaku i pandemisë, ndërkaq këtë vit kemi pranuar 3500 paketa me dhurata, ku më pas kemi shpërnda 2900 dhe besojmë që vitin e ardhshëm do të kemi kapacitet të dyfishuar nga kjo që kemi pasur deri sot”, tha ai.

Projekt tjetër do të jetë edhe organizimi i kursit të gjermanishtes falas për fëmijët deri në moshën shtatë vjeçare.

“Ne përndryshe jemi duke organizuar edhe kurse për fëmijët deri në moshën shtatëvjeçare në gjuhen gjermane, pra do të jenë falas  e kjo vlen të përmendet pasi që është një gjë mjaft e mirë  dhe të gjithë ata që duan të mësojnë gjuhen gjermane tani do ta kenë mundësin”, deklaroi ai.

Ndërsa në fund fare ai tha se humanizmi do duhet të jetë pjesë e të gjithëve dhe për këtë  duhet të ndihmojmë njëri tjetrin.

“Ne mundemi me ju ndihmua një pjese por jo të gjithëve, e pikërisht ky do të ishte ai mesazhi im që ne duhet ti ndihmojmë njëri tjetrit. Gjithmonë ekzistojnë probleme qofshin ato të mëdha apo të vogla, por në përgjithësi çdo herë kemi dalë pozitiv duke ju falënderuar rrethit ku ne punojmë dhe veprojmë. Ne si parim e kemi që ti ndihmojmë të gjithëve”, tha ai.

Kujtojmë se ADRA i kapërcen kufijtë kulturorë dhe gjeografikë duke mundësuar dhe përfaqësuar të pambrojturit dhe të harruarit dhe duke arritur ndryshime të bazuara në fakte në jetën e individëve dhe shoqërisë./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale