Ekspozita e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës, në përkujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, po del se ka goxha pasaktësi.
Derisa fillimisht u konstatua se të dhënat për masakrën e Burgut të Dubravës kanë gabime, duke u saktësuar se “Prej të vrarëve, 48 figurojnë persona të armatosur shqiptarë…”, mospërputhje me realitetin janë gjetur edhe në së paku dy raste tjera.
Për Masakrën e Mejës, ku sipas të dhënave zyrtare janë ekzekutuar 376 civilë shqiptarë më 27 prill të vitit 1999, në të dhënat e ekspozitës jepen shifra tjera.
Aty thuhet se në këtë masakër janë vrarë 349 civilë shqiptarë.
Rrjedhimisht, 27 jetë të humbura në këtë masakër të tmerrshme janë fshirë nga lista.
Veç këtyre dy rasteve, pasaktësi janë konstatuar edhe për Masakrën e Krushës së Madhe.
Këtë e ka thënë ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
“Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, prezantohet edhe një e pavërtetë narrative sikur gratë dhe fëmijët janë ‘lejuar’ të largohen, e burrat janë vrarë”.
“Kjo nuk qëndron. Në Krushë të Madhe janë vrarë pa përjashtim, edhe gra shtatzëna, e nuk janë lejuar, por urdhëruar e deportuar drejt Shqipërisë, çka e rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur këtë krim si një veprim ‘selektiv’”, ka thënë ministri Hoti.
Sipas tij, në rastin e masakrës në Burgun e Dubravës, numri i viktimave të paraqitura në ekspozitë nuk përputhet me të dhënat e konfirmuara, ndërsa paraqitja e disa prej tyre si “persona të armatosur”, për Hotin, është plotësisht e pavërtetë.
“Të burgosurit shqiptarë kanë qenë civilë, të pambrojtur dhe nën kontroll të plotë të forcave serbe”, u shpreh ministri i PFVLÇ.
Ai potencoi se “këto nuk janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme”.
Si Ministër i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti bëri thirrje për tërheqjen e menjëhershme të materialeve që përmbajnë pasaktësi dhe verifikimin institucional të plotë të përmbajtjes së ekspozitave publike për krimet e luftës.
Në të njëjtën kohë, ai ftoi institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmat për hetimin e krimeve të luftës, që të shqyrtojnë këtë çështje.
“E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet. Ajo është themel i drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe historisë sonë”, u shpreh Andin Hoti, ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një reagim të para pak minutash, njoftoi se ka pezulluar lejen për vazhdimin e mbajtjes së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, shkaku i këtyre pasaktësive.
Organizatorët e ekspozitës, kanë deklaruar se janë bazuar në të dhënat e Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq.
Një sqarim e ka dhënë edhe Shkelzen Gashi, i cili ka shkruar se në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë vazhdon të jetë e hapur për publikun ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e organizuar nga ADMOVERE dhe INTEGRA.
Sipas tij, kjo ekspozitë paraqet në mënyrë kronologjike 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), nga gjithsej 105 masakra të evidentuara deri më tani.
“Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga ‘Libër Kujtimi i Kosovës’ i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq. Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar”, ka shkruar Gashi.
Foshnjat pa mbrojtje nga diarreja e rëndë, institucionet: Je...
Sonte ndërrohet ora
Trepça nënshkruan kontratë mbi 25 mijë euro për furnizim me ...
Tronditëse: Foshnja 5-muajshe dërgohet pa shenja jete në Urg...
Vidhet një veturë afër aeroportit të Prishtinës, lëshohej pë...
Festa me kokainë dhe ekstazi, momenti kur policia futet në k...