Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten, në një seancë të jashtëzakonshme plenare, Rezolutën për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke kërkuar zbatim me përpikëri të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm.
Rezoluta, e paraqitur nga deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, u miratua me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk morën pjesë në votim, pasi një kërkesë e tyre për të shtuar një pikë në përmbajtje nuk u pranua.
LDK-ja ka dalë me një deklaratë për mospjesëmarrjen e tyre në votim. Në këtë deklaratë thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka “detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive”.
Sipas LDK-së, ajo mbështet parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës, por thekson se është obligim institucional zbardhja e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike.
Deklarata e plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive.
LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës. Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë.
Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës.
Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh. Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.
Ky qëndrim është aktiv dhe parimor. LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë./Arbresh.info
Sinisha Karan zgjidhet president i Republikës Sërpska
Kuvendi mblidhet në orën 15:00, në rend dite ratifikimi i ma...
Avokati kryesor i Rexhep Selimit: Duhet të shpallet i pafajs...
Komisioni për Buxhet miraton buxhetin e vitit 2026, radha te...
Aksion i madh në Çarshinë e Gjatë në Pejë, cak argjendaritë
Mbrojtja e Selimit: Selimi duhet të shpallet i pafajshëm, kë...