Avokati i Popullit ka publikuar sot Raportin me rekomandime lidhur me kushtëzimin nga komunat për pagesën e tatimit në pronë, me rastin e regjistrimit të automjeteve.
Siç njofton Zyra e Avokatit të Popullit, raporti është bazuar në ankesat e pranuara nga Avokati i Popullit lidhur me këto kushtëzime, të cilat zbatohen nga të gjitha komunat në Kosovë, në pajtim me Udhëzimin Administrativ nr. 07/2011 të Ministrisë së Financave(MF), i datës 13 korrik 2011.
Avokati i Popullit konsideron se kushtëzimi nga ana komunave, me të cilin qytetarët detyrohen të paguajnë tatimin në pronë, në mënyrë që atyre t’u lëshohet dëshmia për pagesën e taksës komunale, të nevojshme për regjistrimin e automjetit, nuk është një metodë e ligjshme për vjelje të tatimit në pronë. Avokati i Popullit ka parasysh se vjelja e tatimit në pronë është jetike për funksionimin e komunave, por që metodat nëpërmjet të cilave kërkohet që të paguhen duhet të jenë të ligjshme dhe proporcionale, në pajtim me ligjin.
Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar, duke nxjerrë një qëndrim të ri me konstatimin se kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave me pagesën e tatimit në pronë, nuk kanë bazë ligjore dhe janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe si të tilla nuk mund të aplikohen. Po ashtu, Avokati i Popullit i ka rekomanduar MF-së ndryshimin e dispozitave të Udhëzimit Administrativ nr. 07/2011, që kanë të bëjnë me kushtëzimet e qytetarëve për pagesën e tatimit në pronë.
Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, u është përcjellë sot autoriteteve përgjegjëse dhe i njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së.
Hapet në BQK ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngj...
Arrestohet në Kosovë një person me urdhërarrest ndërkombëtar...
Mourinho optimist para përballjes me Real Madridin
Prokuroria Speciale arreston një person për dhënie ryshfeti ...
Sekuestrohet një armë zjarri në Kaçanik, shoqërohet në polic...
Szoboszlai në radarin e Realit – Liverpooli i ofron kontratë...