Dy prej të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë – Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq – kanë vendosur të mbrohen në heshtje. Përderisa Dushan Maksimoviq pritet të deklarohet në seancën e radhës.
Kjo ka ndodhur të premten në Gjykatën Themelore, ku trupi gjykues i përbërë nga kryetari Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Donika Shala Abdyli, ka marrë vendime lidhur me administrimin e provave në rastin e njohur si “Banjska”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë proces, Prokuroria përfaqësohet nga prokurori Naim Abazi, ndërsa të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. I dëmtuar në këtë rast është edhe Çlirim Shaqiri, i përfaqësuar nga avokati Naim Rudari. Në këtë rast, nga të dëmtuarit, në seancën e sotme ishte i pranishëm vetëm Çlirim Shaqiri.
Gjatë seancës, përfaqësuesi i të dëmtuarve paraqiti prova materiale, përfshirë raporte mjekësore dhe fotografi të lëndimeve të Alban Rashitit dhe Çlirim Shaqirit, i cili ishte i vetmi në seancë nga të dëmtuarit. Sipas tij, Rashiti vazhdon të jetë në trajtim mjekësor dhe i paaftë për punë si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmit, ku humbi jetën edhe heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ai kundërshtoi edhe një provë të paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, konkretisht një diplomë që pretendohet se dëshmon profesionin e tij si teknik mjekësor. Sipas tij, provat e Prokurorisë tregojnë se Spasojeviq është arrestuar i uniformuar dhe i armatosur, duke theksuar se “nuk ishte person që shëronte plagë, por ai që i shkaktonte ato”.
Gjykata vendosi të pranojë provat e paraqitura nga Prokuroria Speciale dhe mbrojtja në seancën paraprake. Sa i përket kundërshtimeve për ligjshmërinë e ekzaminimit të telefonave, gjykata vlerësoi se ato janë të ligjshme, duke u bazuar në vendimet e mëhershme të Gjykatës së Apelit.
Po ashtu, u aprovua propozimi i mbrojtjes për pranimin si provë të deklaratës së një dëshmitari, i cili nuk ka mundur të paraqitet në gjykatë për arsye shëndetësore. Prokuroria u obligua që brenda pesë ditëve ta dorëzojë këtë deklaratë.
Gjykata trajtoi edhe ankesat e mbrojtjes për mungesë të shkresave të lëndës. Edhe pse vlerësoi se mbrojtja është pajisur me materialet sipas ligjit, ajo u obligua që deri më 30 mars të specifikojë provat që pretendon se mungojnë. Pas kësaj, Prokuroria do të ketë afat prej tre ditësh për të dhënë qëndrimin e saj.
Në fund të seancës, me propozim të avokates Jovana Filipoviq, gjykata mori aktvendim për ndërprerjen e seancës së sotme. Sipas këtij vendimi, mbrojtja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq do të paraqitet në një datë tjetër, për shkak se mbrojtja ka kërkuar kohë shtesë për konsultime më të zgjeruara me të akuzuarin.
Paraprakisht, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq deklaruan se do të mbrohen në heshtje. Ndërkaq, Dushan Maksimoviq u pajtua me propozimin e mbrojtjes që deklarimin ta japë në një seancë të ardhshme, pasi të njihet me të gjitha shkresat dhe provat, përfshirë videoincizimet.
Gjykata gjithashtu bëri të ditur se do të ndërmarrë veprime për t’i mundësuar mbrojtjes shqyrtimin e provave materiale në Qendrën e Paraburgimit.
Hamza në 37-vjetorin e grevës së minatorëve: Sakrifica e tyr...
Viktimat e Epstein do paguhen 35 milionë dollarë si pjesë e ...
Trump: FIFA do të mbledhë 75 milionë dollarë për projektet s...
Sot protesta e opozitës para Kryeministrisë, rrugët që bllok...
Hekuran Murati: Buxheti 2026 është i përkohshëm dhe emergjen...
LDK nuk mbështet Buxhetin 2026, Lushaku kërkon votimin e ame...