Qeveria holandeze ka njoftuar synimin e saj për të penguar Serbinë nga avancimi në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ky vendim buron nga shqetësimet e vazhdueshme për përkushtimin e Serbisë ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, raporton media holandeze Dutch Times.
Sipas këtij mediumi, “një pikë e rëndësishme mosmarrëveshjeje është trajtimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën”.
“Holanda, së bashku me disa vende të tjera anëtare të BE-së, i ka kërkuar Serbisë që të normalizojë raportet me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008. Ndërsa sovraniteti i Kosovës njihet nga pjesa më e madhe e BE-së, Serbia refuzon ta njohë atë, duke çuar në tensione të zgjatura rajonale. Përshkallëzimi i fundit në veri të Kosovës, ku pakica etnike serbe u përplas me autoritetet kosovare, i kanë intensifikuar këto shqetësime”, thuhet në këtë artikull.
Holanda ka theksuar se progresi në procesin e anëtarësimit në BE “varet nga vullneti i Serbisë për t’u angazhuar në dialog kuptimplotë me Kosovën nën ndërmjetësimin e BE-së”.
Media holandeze shkroi po ashtu se “ky vendim nxjerr në pah shqetësimin në rritje brenda BE-së në lidhje me përafrimin e vendeve kandidate me parimet thelbësore evropiane”.
“Procesi i pranimit të Serbisë tashmë është përballur me vonesa për shkak të shqetësimeve të ngjashme të ngritura nga shtetet e tjera anëtare. Qeveria holandeze do të shprehë zyrtarisht kundërshtimet e saj gjatë diskutimeve të ardhshme të Këshillit të BE-së për zgjerimin, ku do të vlerësohet progresi i Serbisë. Ky vendim ka të ngjarë të ndikojë në dinamikën më të gjerë të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, si dhe në marrëdhëniet e ardhshme të Serbisë me vendet anëtare të BE-së”, u tha në raportin e medias holandeze, Dutch Times.
Ikonat e futbollit në një vend, Ronaldinho, Kaka dhe Adriano...
IQMT rrit kontrollet dhe konfiskon produkte jashtë standarde...
Arrestohen tre persona të dyshuar për vjedhje në Prishtinë
Plani operativ “Stop Drogave” në Prishtinë/ Arrestohen 8 per...
Nafta në Kosovë me çmim të njëjtë si dje
Mbi 1,700 gjoba në një javë në rajonin e Ferizajt, policia k...