Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda, ka shprehur vlerësim të veçantë për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për “operacionet e njëpasnjëshme, profesionale dhe të suksesshme” që tha se po zhvillon në goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes dhe mbajtjes së tyre pa leje në territorin e Tiranës.
“Vlerësim dhe mirënjohje të veçantë për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për finalizimin e operacionit të radhës, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme dhe të suksesshme të zhvilluara për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes apo mbajtjes pa leje të armëve në Tiranë”, citohet të ketë thënë ai.
Siç tha ai, operacioni “Barriera”, si dhe operacionet dhe goditjet e realizuara përgjatë vitit 2025 dhe në fillim të këtij viti, janë dëshmi e një pune të mirorganizuar, profesionale, hetimore dhe operacionale, e strukturave të DVP Tiranë.
“Gjithashtu, konfirmojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët ligjzbatues, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në funksion të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, trafikimit të lëndëve narkotike dhe çdo paligjshmërie tjetër”, tha ai.
Drejtori i Policisë shqiptare tha se “armët e zjarrit janë mjeti kryesor për kryerjen e veprave penale dhe përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike”. Tha se “parandalimi dhe goditja e tyre mbetet një prioritet absolut i Policisë së Shtetit, në shërbim të rendit, ligjit dhe qytetarëve”.
“Sjell në vëmendjen tuaj se gjatë vitit 2026, goditja pa kompromis e armëmbajtjes pa leje, trafikimit të armëve dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë kriminale të lidhur me to, do të jetë një nga fokuset kryesore të punës së Policisë së Shtetit në të gjitha qarqet e vendit. Ndaj ju inkurajoj që të vazhdoni punën me vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, në shërbim të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve”.
KEK-u shkyç Njësinë B1 për shkak të rrjedhjeve të avullit
Tri gjigantë të Premier League pas Jules Kounde
Osmani: Tre kampionë që vazhdojnë ta bëjnë Kosovën krenare
Arabia Saudite njofton investime të reja të mëdha në Siri
Të paktën tre të vrarë nga sulmet e fundit ruse në Ukrainë
Arrestohet në Spanjë shqiptari i shpallur në kërkim prej më ...