Ende pa u bërë 24 orë nga zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës, u shënua një lëvizje e papritur brenda radhëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Liburn Aliu njoftoi dorëheqjen nga posti i ministrit në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, raporton Arbresh.info.
Ky veprim i menjëhershëm ka shkaktuar reagime dhe shqetësime për stabilitetin brenda VV-së.
Aliu shkroi në Facebook se vendimi i tij lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjen e Bashës, duke aluduar se kjo ka qenë shkak kryesor i tërheqjes së tij nga pozita qeveritare.
Në anën tjetër, analistët politik këtë lëvizje të Aliut e shohin si një krisje brenda Vetëvendosjes.
Analisti politik Shemsi Jashari e sheh dorëheqjen e Aliut si një shenjë të qartë që përçarjet brenda Vetëvendosjes janë tashmë të hapura.
Sipas tij, zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit ka nxitur pakënaqësi të thella mes figurave të vjetra të partisë, të cilat po përjashtohen nga një rreth i ngushtë vendimmarrës.
“Dorëheqja e Liburn Aliut është tregues i qartë se përçarjet brenda Vetëvendosjes tashmë kanë nisur. Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit vetëm sa i thelloi pakënaqësitë te figurat e vjetra, të cilat po anashkalohen nga një rreth i ngushtë vendimmarrës. Nëse kjo arrogancë vazhdon, dorëheqjet e tjera nga figura të rëndësishme janë të pashmangshme dhe kjo do ta thellojë edhe më shumë krizën e brendshme të VV-së”, thotë ai.
Ai shton se goditja më e madhe për kryeministrin Albin Kurti mund t’i vijë nga Glauk Konjufca, i cili, sipas Jasharit, është shkelur dhe anashkaluar në interes të liderëve të tjerë.
“Goditja përfundimtare Albin Kurtit pritet t’i vijë nga Glauk Konjufca, i cili është shkelur dhe anashkaluar në interes të tij. Nëse do të ishte propozuar Konjufca, nuk do të kishte as bllokadë e as zvarritje të themelimit të institucioneve. Sa do të mund të durojë Konjufca këto poshtërime mbetet të shihet, por duket se jo gjatë”, pohon Jashari.
Nga ana tjetër, edhe analisti tjetër politik Avni Arifi thekson se zgjedhja e Dimal Bashës dhe lënia jashtë e shumë figurave kyçe është një goditje e rëndë për partinë.
“Zgjedhja e Dimalit dhe lënia anash e shumë figurave që kanë kontribuar për t’u bërë VV, këtu ku është një mrekulli përrallore për Dimalin dhe ofenduese për profilet si Liburni. VV nuk duket se ka më organe që vendosin. Nga jashtë duket se aty ndodh ajo që thonë Kurti, Dejona, Bislimi dhe Murati. Kjo është VV,” përfundon ai.
Ndryshe, Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Pas votimit të mbajtur në seancën e sotme, ai siguroi shumicën e nevojshme të votave, duke marrë 73 vota për, 30 kundër dhe 3 abstenime, duke u konfirmuar kështu në postin më të lartë të legjislativit./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
Moti sot kryesisht i vranët, herë pas here priten edhe reshj...
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...