Në ditën e Diasporës, më 2 gusht 2017, organizata jo-qeveritare Germin organizoi tryezën e rrumbullakët me temën: Avancimi i Rolit të Diasporës, Sfidat dhe Mundësitë, që mblodhi përfaqësues të diasporës shqiptare, ministrin në detyrë të Ministrisë së Diasporës Valon Murati dhe shoqërinë civile.
Gjatë kësaj tryeze u diskutua për avancimin dhe rolin e diasporës shqiptare në lidhje me të drejtat e tyre politike dhe socio-ekonomike dhe si mund të krijohen mekanizma për fuqizimin e rolit të diasporës në zhvillimin e vendeve amë. Në kuadër të kësaj tryeze, Germin po ashtu prezantoi punën e bërë deri më tani në kuadër të nismës për Dialogun e Strukturuar për të Drejtat e Diasporës.
Gjatë bashkëbisedimit pjesëmarrësit potencuan se sfidat që po e pengojnë diasporën të jetë pjesë aktive e proceseve politikëbërëse dhe socio-ekonomike, përfshirë mospërfaqësimin e diasporës në Kuvendin e Kosovës, procedurat burokratike të shfrytëzimit të së drejtës së votës, vjelja e mërgimtarëve në kufi të vendit, marrëveshja për sigurimet sociale mes Kosovës dhe Zvicrës, mësimi plotësues në gjuhën shqipe dhe mungesa e mësuesve të kualifikuar.
Tema të rëndësishme të këtij takimi ishin edhe tranzicioni i shoqërisë kosovare dhe Diasporës ku ndër të tjera ministri aktual i diasporës, Murati gjatë fjalës hyrëse theksoi se diaspora shqiptare është duke kaluar në një tranzicion, pikëpamje kjo që u pranua edhe nga të pranishmit.
Liza Gashi, nga Germin theksoi rolin e diasporës dhe kërkoi nga qeveria e ardhshme që të fillojë të rimendojë rolin e diasporës dhe ta angazhojë atë si një ndër pjesët kyçe të politik-bërjes duke pasur parasysh edhe kontributin dhe potencialin e diasporës në vendin tonë para dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
Andaj, që të ketë një ndikim pozitiv në këtë drejtim, u kërkua mobilizimi i diasporës si dhe krijimi i një komunikimi të ndërsjellë që do të evitonte paragjykimet që po ndodhin herë pas here.
“Të gjithë jemi përgjegjës për mobilizimin e diasporës, sikurse Qeveria ashtu edhe komuniteti i diasporës”, tha Lulzim Syla nga Gjermania.
Në anën tjetër, Ministri Murati shtoi se shteti i Kosovës dhe Shqipëria të trajtojnë më seriozisht çështjen e organizimit të mësimit shqip në diasporë, nevojën e rritjes së pjesëmarrjes politike në institucione (sidomos në Kuvendin e Kosovës).
Ndërsa, Florim Kadriu nga Zvicra rekomandoi se qeveria e Kosovës duhet të anëtarësohet në byronë ndërkombëtare të sigurimeve ose të nënshkruajë marrëveshje bilaterale me shtetet europiane me më së shumti diasporë shqiptare.
Për fund, u propozuan edhe rekomandime tjera nga të pranishmit të cilët kërkuan guxim më të madh nga të gjitha institucionet dhe shoqëria civile për përfshirjen e diasporës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
Disa nga rekomandimet e nxjerra janë: Përfaqësim dhe gatishmëri nga ana e institucioneve për të drejtat e diasporës në vendet pritëse, përmes marrëveshjeve bilaterale; Diaspora shqiptare të përfaqësohet në parlamentin e Kosovës; Të krijohen kushte që diaspora ta shfrytëzojë të drejtën e votës, që sipas tyre teknikisht po iu mohohet; Angazhim më të madh në mësimin plotësues në diasporë si dhe në promovimin e vlerave kulturore në vendet pritëse; Radio Televizioni i Kosovës të promovojë dhe t’i dokumentojë sukseset e diasporës; Rrjetëzimi i ekspertëve nga diaspora dhe potenciali i tyre të përdoret në zhvillimin e Kosovës; Diaspora të ndihmojë Kosovën për të zhvilluar sistemin arsimor për ngritjen profesionale përmes shkollave profesionale pas klasës së nëntë (9).
Përfshihet nga zjarri një lokal në Rrugën B, zjarrfikësit në...
27 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit
Irani është “praktikisht i pambrojtur” nëse SHBA-ja e sulmon
Plenkoviç: Kroacia nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes
Sot i jepet lamtumira e fundit vogëlushit që vdiq tragjikish...
Zelensky paralajmëron: Rusia po përgatit një ‘sulm të ri mas...