Takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, i planifikuar të mbahet sot në Bruksel, ka dështuar pasi që delegacioni i Serbisë refuzoi të marrë pjesë.
Burimet jozyrtare kanë treguar për REL-in se delegacioni serb refuzoi të marrë pjesë në takim në shenjë proteste pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.
Të njëjtat burime thonë se delegacioni i Kosovës është takuar me përfaqësues të ekipit të të dërguarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçakut dhe se ka pasur takime edhe me delegacionin e Serbisë, por jo në kuadër të takimit të Komisionit të përbashkët.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se “e ka braktisur atë takim”, për shkak të ndodhive në Kosovë.
“Kurti nuk do dialog, por dhunë”, u tha ai gazetarëve në Bruksel.
I pyetur nëse u mbajt takimi për të pagjeturit, Petkoviq tha: “Natyrisht që jo. Çështja e të pagjeturve është e rëndësishme… por Kurti e ka mbytur dialogun, e ka mbytur takimin e sotëm”.
“Besoj se Lajçak ka bërë gjithçka që ka mundur, por mund të ishte bërë edhe më shumë dhe të kishte më shumë mirëkuptim për popullin serb në Kosovë, sepse për një gjë të tillë kemi paralajmëruar gjatë gjithë kohës”, tha Petkoviq.
Por, burimet thonë se Petkoviqi nuk ishte i supozuar të merrte pjesë në takim.
Po ashtu, sipas njoftimeve të mëhershme të BE-së, takimi ishte parashikuar të ishte vetëm takim i Komisionit për të pagjeturit dhe jo takim i radhës në kuadër të dialogut, ku do të merrnin pjesë kryenegociatorët.
Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqej nga Halil Cenaj, qysh edhe kishte bërë të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.
Ndërkaq, para takimit, Serbia nuk kishte bërë të ditur se kush do ta udhëheqë delegacionin e saj.
Para se të mbahej takimi, autoritetet e Kosovës njoftuan se kanë mbyllur organet komunale serbe në dhjetë komuna në jug të lumit Ibër, si dhe zyrat postare dhe të Administratës Tatimore të Serbisë.
Kosova kishte filluar mbylljen e institucioneve serbe qysh në fillim të vitit 2024. Pas aksionit të fundit, autoritetet në Serbi thanë se do t’i marrin të gjitha masat “për të mbrojtur popullin serb” në Kosovë.
LEXO EDHE:
Aksioni i Policisë së Kosovës, mbyllen institucionet paralele serbe në dhjetë komuna
Nga Tirana, Zelensky, Macron, Merz, Starmer dhe Tusk, telefo...
Kallas javën tjetër në Kosovë, Osmani e takon në Tiranë: Kos...
Deputetët kthehen nesër për të 17-tën herë në tentativë për ...
Çfarë përfiton Kosova nga CISMOA, pakti që lidhi me SHBA-në?
Rohde për dështimin e Albulena Haxhiut: Edhe në një lojë fut...
Rama mbyll seancën e parë të KPE: Shtëpia e shqiptarit është...