Google ADS

Deputetja e Kuvendit të Bosnjës u premton ligjvënësve kosovarë mbështetje në KiE

16:05 | 16 Nëntor 2023
E.H

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë pritën në takim zëvendëskryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Bosnjë dhe Hercegovinës, Sabina Çudiç.

Në këtë takim u diskutuan çështje të rëndësishme të interesit të përbashkët të të dyja komisioneve, me theks të veçantë për bashkëpunimin ndërparlamentar në fushën e politikës së jashtme.

Po ashtu në këtë takim u bisedua edhe për dialogun në Bruksel, procesin e Berlinit, Marrëveshjen e Dejtonit si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Fillimisht, kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu tha se fatkeqësisht Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina nuk kanë raporte të mira bilaterale, por ekzistojnë raporte të mira ndërnjerëzore. Tutje ajo përmendi edhe regjimin e vizave të të dyja vendeve, por edhe kufizimin e lëvizjes së lirë për Kosovën nga shteti i Bosnjës.

Deputetja boshnjake Çudiç, tha se është këtu për të ofruar mbështetje të plotë për Kosovën, duke përmendur zhvillimet e fundit politike dhe mënyrën se si është lënë anash Kosova nga faktori ndërkombëtar.

Anëtarë të Komisionit të Kuvendit të Kosovës, gjatë diskutimit të tyre folën për sfidat e Kosovës në rrugëtimin integrues, ndërkaq falënderuan deputeten Çudiç për qëndrimin dhe mbështetjen e saj për Kosovën në Këshillin e Evropës.

Ligjvënësit vlerësuan se me ndihmën e saj dhe të miqve tjerë ndërkombëtarë, Kosova mund të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Ndërsa, Çudiç u zotua se do të avokojë për interesa të përbashkëta në rajon dhe me gjerë.

Krejt në fund, ajo u njoftua nga anëtarë të Komisionit edhe lidhur me të drejtat e komunitetit boshnjak në Kosovë, duke u kërkuar nga ta që të miratohet marrëveshja për lëvizje të lirë nga Bosnjë e Hercegovina./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale