Deklarimet në sallën e gjyqit të Speciales janë me interes të gjerë publik, kërkohet të evitohen telashet teknike

08:09 | 10 Tetor 2021 | Arditë Shkodra

Telashet teknike në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës vazhdojnë të jenë evidente, duke vështirësuar kështu edhe përcjelljen e dy gjykimeve tashmë të filluara ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 20 shtator, ditë e hëne ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të parë në gjykim për krime lufte ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.
Në mënyrë që të mbrohet identiteti i dëshmitarit, të mos mund të identifikohet ai, pamjet janë turbulluara dhe zëri i është modifikuar.

Mirëpo si pasojë e modifikimit të tepruar të zërit, ishte pothuajse e pamundur të kuptohej se çka fliste dëshmitari në fjalë, e krejt kjo ka çuar situatën që të ketë ankesa edhe nga shoqëria civile, pasi që publiku ka të drejtë të jetë i mirë-informuar rreth dëshmive të dëshmitarëve.

Avokati Arbër Jashari në një përgjigje për arbresh.info thotë se gjykata ka për obligim që të siguroj anonimitetin e dëshmitarit, por në masë të nevojshme e pa e cenuar publicitetin e procedurës penale, pasi që medoemos këto seanca duhet të jenë transparente për publikun.

“Gjykata ka për obligim, që të siguroj anonimitetin e dëshmitarit dhe të ruaj konfidencialitetin e procedurës penale, por në masën sa është e nevojshme, pa e cenuar publicitetin e procedurës penale në tërësi, ngase siç dihet, publiciteti është garancë, për një proces të rregullt, transparent, të drejtë dhe të besueshëm”, thotë Jashari.

Njëjtë pothuajse mendon edhe Medina Kadriu, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi, (IKD), duke i bërë kështu thirrje DHSK-së, për të evituar të gjitha problemet teknike, pasi procese të tilla penale kanë interes të gjerë publik.

“IKD bën thirrje që të gjitha këto probleme teknike të evitohen nga DhSK, në mënyrë që të transmetohet në publik të gjitha përgjigjet e dëshmitarëve për aq sa seanca është e hapur, që publiku të jetë i informuar saktë mbi deklarimet e dëshmitarëve e palëve të tjera në procedurë pasi procese të tilla penale kanë interes të gjerë publik”, ka thënë Kadriu për arbresh.info

Të njëjtën thirrje DHSK-së i’a ka bërë edhe avokati Jashari, duke thënë se duhet të evitohen këto probleme pasi që konsideron se në një formë apo tjetër e lëndojnë parimin e publicitetit.

“Dhomat e Specializuara, duhet të marrin të gjitha masat, që t’i evitojnë të gjitha ato probleme teknike, të cilat në një formë apo tjetër, e lëndojnë parimin e publicitetit”, tha ai.

Ai mendon se Gjykata Speciale ka mjaftueshëm resurse për të ruajtur anonimitetin e dëshmitarëve, por në të njëjtën kohë deklaratat e tyre duhet të jenë të kuptueshme për publikun.

“Konsideroi se Gjykata Speciale, ka resurse te mjaftueshme që duke shfrytëzuar edhe të arriturat teknologjike, të ruaj anonimitetin e dëshmitarëve, por të njëjtën kohë, deklarimet e tyre të jenë të kuptueshme për publikun”, tha Jashari për arbresh.info.

Problem tjetër që është hasur është fakti se shumë shpesh kur dëshmitarëve i’u bëhen pyetjet për të cilat përgjigjen me “po” ose “jo”, nuk dëgjohet fare përgjigja e tij, çka edhe e bën të paqartë për publikun se cila ishte përgjigja e dëshmitarit.

Apo në rastin e fundit tani, kur u mbajt seanca e parë e gjykimit për Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucatin, saktësisht kur trupi gjykues pyeti se a deklarohen të fajshëm apo të pafajshëm, nuk është dëgjuar fare përgjigja e Haradinajt, por si pasojë e problemeve me mikrofona, nuk është dëgjuar fare përgjigja.

Që të funksionojë gjithçka në rregull dhe të evitohen këto probleme, Medina Kadriu nga IKD konsideron se ekipi i kësaj gjykate paraprakisht duhet të testojë të gjithë mikrofonat dhe zërimin.

“Ekipi i kësaj gjykate, që ka për detyrë të kujdeset për aspektet teknike, duhet paraprakisht që të testojë të gjithë mikrofonat, arritshmërinë e zërit te përkthyesit, në mënyrë që paraprakisht para fillimit të seancës të sigurohen se çdo gjë funksionon në rregull në mënyrë që gjykimi të rrjedh pa ndërprerjet që shkaktohen nga këto probleme teknike”, u shpreh Kadriu.

Portali arbresh.info ka dërguar pyetje edhe zyrës për medie të Dhomave të Specializuara por nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara