“Defender Europe 21” vjen edhe në Kosovë, Mehaj: Hap rrugët drejt aleancës me NATO-n

15:03 | 6 Maj 2021

Kosova po merr pjesë në stërvitjen ushtarake të NATO-s “Defender Europe 21” me 330 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Qëllimi i këtyre stërvitjeve është që të validojnë rrugën e Kosovës drejt aleancës së NATO-s, shkruan arbresh.info.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se ushtria e NATO-s do të zbarkoj në Kosovë nga data 17 maj deri me 29 maj.

“Kjo është hera e parë që zhvillohet edhe në vendin tonë. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje është ngjarje e rëndësishme që dëshmon përkushtimit e Kosovës për paqe dhe stabilitet. Kosova si vend pritës, konfirmon edhe në këtë rast lidhjen e fuqishme me SHBA si aleat i përhershëm. FSK është duke u zhvilluar në një forcë vepruese dhe ndërvepruese me partnerët tanë”, tha ministri Mehaj.

Ministri Mehaj po ashtu tha se përmes këtyre stërvitjeve FSK po e fuqizon rrugën për aderimin në NATO.

Më 29 prill, në Shqipëri NATO nisi stërvitjen “Defender Europe 21”, që është stërvitja me shkallën më të gjerë që është mbajtur në Ballkanin Perëndimor që nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë stërvitje po marrin pjesë mijëra forca nga Shtetet e Bashkuara.

Ato do të mbajnë stërvitje në gjashtë baza tokësore, detare dhe ajrore në Shqipëri deri më 10 qershor./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara