Google ADS

Çka parasheh avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s?

16:08 | 27 Maj 2024
E.G

Asambleja Parlamentare e NATO-s ka miratuar sot avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar të kësaj organizate.

Që në muajin mars, autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se statusi i Kosovës pritet të avancohet, ndërsa në takimin e sotëm të Asamblesë në Sofje të Bullgarisë, shumica e vendeve kanë qenë pro avancimit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme.

Në procesin e votimit, një votë ka qenë kundër ndërsa 24 kanë abstenuar, raporton Arbresh.info.

Ndryshe, Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Asambleja përbehet nga 281 delegat nga 32 shtete të NATO-s ndërsa në aktivitete marrin pjesë edhe 9 vende të tjera të asocuara, katër vende të asocuara mesdhetare si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Me miratimin e avancimit, tashmë Kosova dhe vendet e tjera të avancuara mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta, e po ashtu edhe të shërbejnë si raportues special të asocuiar në komunitete.

Megjithatë, nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë dhe as nuk mund të kontribuojnë në buxhetin e saj.

Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë në mesin e nëntë anëtarëve të asociuar në këtë organizatë.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, ishte delegacion vëzhgues me dy ulëse ndërsa tani me avancimin e statusit të saj mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës.

Ndërsa, kundër avancimit të Kosovës është angazhuar delegacioni i Serbisë të cili përmes një letre të kryetares së Kuvendit serb, Ana Bernabiq u është bërë thirrje shteteve anëtare që të votojnë kundër avancimit të Kosovës.

Ndërkohë, avancimi i statusit të Kosovës parashihet si përforcim i bashkëpunimit mes vendit dhe NATO-s.

Ndryshe, pas përjashtimit të Rusisë nga NATO-ja, Kosova ka kërkuar urgjentisht të përshpejtoj anëtarësimin e saj.

Këtë kërkesë të Kosovës NATO nuk e ka komentuar mirëpo misioni i saj paqeruajtës KFOR janë të pranishëm në Kosovë që nga viti 1999.

KFOR-i  shërben në Kosovë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin./Arbresh.info/Ejona Hyseni/