E njohur për të gjithë, jo vetëm si njëra nga deputetët më të vjetra në Kuvendin e Kosovës, Flora Brovina njihet edhe si njëra prej mjekeve më të shquara të vendit, por edhe si femra e cila kaloi sfida dhe vështirësi nga më të ndryshmet. Flora Brovina, gruaja që i rezistoi presionit dhe kërcënimit nga ish regjimi serbo-sllav në një intervistë për arbresh.info ka shpalosur shumë gjëra. Ajo ka folur për vështirësitë që ka pasur gjatë kohës së regjimit, për politikën, mandatin e saj si deputete, sfidat në Kuvendin e Kosovës, për partinë të cilës i takon, për situatën mes Pozitës dhe Opozitës. Brovina për arbresh.info foli edhe për një temë mjaft të ndjeshme, për viktimat e luftës, për përkrahjen e tyre nga institucionet, për dhimbjen që ajo ndjen kur ato rrëfehen, për statusin e tyre dhe për çështje tjera.
Arbresh.info: Zonja Brovina, njiheni si një grua e fortë me një të kaluar të hidhur por që i bëri rezistencë asaj të kaluare. Si arritët që ta tejkaloni atë kohë kur patët shumë presion e kërcënime nga ish regjimi dhe të arrini deri në ditët e sotme?
Flora Brovina: Gjithë populli ynë ka pasur sfida gjatë kësaj periudhe dhe historia ime nuk është ndryshe nga gjenerata ime që i ka përjetuar këto qysh në kohën e Rankoviqit pastaj të Millosheviqit por, jemi përgatitur gjithmonë nga familja që ka përcjellur ndjenjën e atdhedashurisë dhe mënyrën se si të përgatitesh për të rezistuar. Prandaj kjo rrugë e vështirë mua nuk më duket kështu sepse ka qenë rruga ime origjinale dhe modelet i kam pasur edhe para meje si gjyshen time, nënën time e kështu me radhë.
Arbresh.info: Ka një kohë të gjatë që jeni pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Cilat janë sfidat më të mëdha që keni pasur gjatë gjithë kësaj kohe si deputete?
Flora Brovina: Jam që nga themelimi i Kuvendit të Kosovës pra prej mandatit të parë dhe, jo rastësisht jam deputetja më e vjetër. Si femër në Kuvendin e Kosovës ndihem shumë krenare për disa punë edhe në qoftë se nuk janë shumë të dukshme janë të rëndësishme që kanë lënë gjurmë, dhe të cilat kanë qenë iniciativë e imja. Ndihem keq kur ligjet që aprovohen në Kuvendin e Kosovës nuk zbatohen si duhet ose ato sjellën për pak gjëra të riamandamentohen rishtazi. Në Kuvendin e Kosovës ka modele që i përvetësojmë qofshin ato ligjet e Parlamentit Evropian dhe ne kemi legjislacion shumë të mirë por duhet më shumë punë për t’u zbatuar.
Atmosfera në Kuvend është një sfidë e madhe për këtë mandat që më ka pikëlluar pasi që në këtë kohë kisha probleme me familjen sepse më vdiq burri, pikërisht në kohën kur duhej pasur fuqi, koncentrim që të mos të ndodhte një konflikt në mes të Pozitës dhe Opozitës. Në fakt kjo atmosferë kishte ndodhur për shkak të moskuptimit të rregulloreve dhe Kushtetutës dhe unë si një ushtare në mbrojtje të legjislativit domosdo që do ta mbroja Kushtetutën. Më kujtohet kur para ndërkombëtarëve ose miqve tanë që mbronin institucionet tona solla tri dokumente, ishte Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe ishte vendimi i ish kryesisë së Kuvendit që kishte marrë vendim të formohet një grup parlamentar pa të drejtë ligjore, sepse ky grup duhej ta kishte një adresë kujt t’i drejtohej, sepse kryetari i parlamentit nuk ekzistonte as i kaluari e as nuk ishte zgjedhur i riu. Unë isha vetëm kryesuese për momentin dhe në rendin e ditës kisha një pikë që nuk doja ta kaloja sepse grupi parlamentarë që ishte formuar ishte jo ekzistues në bazë të ligjit. Poashtu një shkelje tjetër që m’u bë mua ishte shkarkimi im nga kryesuesja që u bë nga Opozita. Këta deputetë të Opozitës që i dhanë të drejtë vetës ta bënin këtë gjë të më shkarkojnë dhe mua askush nuk më kishte ngarkuar që të udhëheq Kuvendin pasi që kjo ishte e drejtë ligjore dhe nuk kishin të drejtë të më shkarkojnë, e më e keqja ishte se në vendin tim sollën një kolege që i takonte grupit që ata e protestonin pra Listës Serbe. Në këtë mënyrë ata që ishin kundër ‘Zajednicës’ sollën kolegen nga kjo listë në vend timin. Këtu e kam ndier veten keq dhe kanë qenë sfidat më të mëdha. Pastaj në rastin e hedhjes së helmeve në Kuvend, kolegët e opozitës nuk pritën asnjë çast që ne ta shprehim mendimin tonë se çka mendojmë për ‘Bashkësinë e Komunave Serbe’ e poashtu edhe për demarkacionin, dhe kur gjuajtën lotsjellësin unë u ndjeva keq sepse i kam tri stenda dhe nuk isha përgatitur për këtë.
Arbresh.info: Ju ende nuk keni dhënë ndonjë mendim për ‘Bashkësinë e Komunave Serbe’. Atëherë cili është mendimi juaj për këto komuna?
Flora Brovina: Unë nuk jam përkrahëse e komunave një-nacionale në përgjithësi, kujtoj që gabimi ka ndodhur kur janë ndarë komunat në nacionalitete e që kjo nuk do të duhej të ndodhte. Ne kemi dhënë dëshmi si popull i viktimizuar se e pranojmë çdo qytetar të çfarëdo kombi që dëshiron të jetojë me ne i barabartë. I mbroj parimet e të drejtës së njeriut, parimet e barabarta të qytetarëve tanë dhe, kur mendoj kështu kujtoj që ka kaluar koha kur kishim akuza të ndërsjella qoftë edhe të krimeve të luftës, të hakmarrjes. Ne kemi dhënë dëshmi dhe nuk më pëlqejnë as enklavat që u vendosën në të kaluarën e as komunat një-nacionale. Mendoj që nacionaliteteve cilado ne iu kemi dhënë madje shumë, e tash ato kërkojnë edhe komuna të reja dhe nuk e di pse, a mos po u mungon ndonjë gjë apo çfarë.
Arbresh.info: Theksuat që jeni kundër komunave një-nacionale, a do të duhej edhe Qeveria të mendonte kështu?
Flora Brovina: Ndoshta ky model na është imponuar me pakon e Ahtisarit dhe ndoshta ai nuk është fajtor por, mund të jetë grupi punues që ka punuar rreth kësaj pako. Përveç komunave serbe ka edhe gjëra tjera që nuk jam pajtuar dhe që duhet të korrigjohen.
Arbresh.info: Jeni anëtare e kryesisë së PDK-së, a e keni shpreh lirshëm mendimin tuaj në këtë parti lidhur me vendimet që janë marr dhe sa u është respektuar ky mendim?
Flora Brovina: Shumëkush e kritikon PDK-në dhe i duket si një parti mashkullore. Duke qenë anëtare e kryesisë së kësaj partie kurrë se kam privuar vetën ta them atë që mendoj dhe më është dhënë mundësia ta them mendimin tim për vendimet që janë marrë. Në lidhje me këtë shembull kritikat që i kam dhënë për shfrytëzimin e kuadrove dhe nuk ka asnjë parti më shumë se PDK-ja kuadro profesionale të cilat do t’ia kishte lakmi secila parti për t’i zgjedhur në vendet e duhura, por nuk i kemi shfrytëzuar këto. Besoj që tani po kalojmë se i kemi disa virtyte si subjekt politik, si qëndrueshmëria e anëtarëve tanë, votueseve, pra është stabile dhe gjithnjë e njëjtë, pastaj qetësia dhe jokonflikti. Në zgjedhjet e kaluara ne asnjëherë nuk folëm kundër partive tjera, ne pamë punën tonë, pastaj kalimi prej një lideri që e kishim tani në president si një synim që ta realizojmë, sepse pasi ishim fitues mund t’i merrnim dy poste dhe në bazë të koalicionit na takoi presidenti. Tani pas kësaj ne duhet të zgjedhim kryetarin e ri dhe ky tranzicion na kaloi shumë lehtë sepse PDK në kryesinë e saj por edhe jashtë kryesisë është parti e liderëve.
Arbresh.info: A ka kandidatë të tjerë për kryetar të PDK-së apo është vetëm KadriVeseli dhe a do ta votoni?
Flora Brovina: Ne edhe me symbyllazi mund ta zgjedhim kryetarin e partisë, mirëpo ne jemi përqendruar në një, dhe besoj që do ta votojmë zotëriVeselin por kjo mundësi është dhënë për secilin sepse KadriVeseli tha vetë se nuk dëshiron ta propozojnë por t’iu japim mundësi edhe tjerëve që ta provojnë të kandidojnë me një program që kanë dhe të zgjedhet kualiteti. Kjo është një formë e re në politikat tona. Nuk do të thotë që deri më datën 7 nuk do të dalë ndonjë kandidat por edhe në qoftë se nuk del është për shkak të respektit….(Vijon)
Në pjesën e nesërme të intervistës mund të lexoni lidhur me çështjet që janë parashtruar për viktimat e luftës, statusi i tyre, përkrahja, numri i këtyre viktimave, rrëfimet që zonja Brovina i tregon kur ato flasin për dhunimet që u janë bërë.V.Berisha/Arbresh.info
Barcelona i ofrohet kontratë të re yllit të skuadrës
Komuna e Obiliqit ashpërson masat ndaj ndotjes, gjoba deri n...
“Kam dalë femër e fëlliqur”, Alba nuk i ndal lotët
Bayern Munich vendos për të ardhmen e Harry Kane
‘Luftëtar i vërtetë’ – Asencio po luan për...
Radoniqi pret shefin e OSBE-së, flasin për përfundimin e rin...